• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

UNHCR: Rreth 186.000 emigrantë dhe refugjatë këtë viti mbërritën në Evropën Jugore

UNHCR: Rreth 186.000 emigrantë dhe refugjatë këtë viti mbërritën në Evropën Jugore

Gjenevë, 29 shtator 2023 (MIA) - Rreth 186.000 emigrantë dhe refugjatë këtë viti kanë mbërritur në Evropën Jugore, njoftoi Komisariati i Lartë për Refugjatë i Kombeve të Bashkuara (UNHCR). 

 Mediat amerikane raportojnë se numri më i madh i tyre kanë hyrë në Itali, më shumë se 130.000, që është një rritje prej 83 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Pjesa tjetër kanë shkuar në Greqi, Spanjë, Qipro dhe Maltë.

 Në të njëjtën kohë, nga janari deri më 24 shtator të këtij viti kanë humbur jetën apo janë zhdukur pothuajse 2.800 persona duke u përpjekur të kalojnë Mesdheun, që është një rritje e konsiderueshme krahasuar me 1.680 personat të cilët humbën jetën ose janë zhdukur në periudhën e njëjtë të vitit 2022.

 Numri më i madh i refugjatëve dhe emigrantëve që janë përpjekur të kalojnë Mesdheun për në Evropë janë nga Tunizia - më shumë se 102.000, sipas një raporti të Komisariatit të Lartë.

 Rreth 30.000 persona janë shpëtuar në det ose janë arrestuar dhe burgosur në Tunizi, ndërsa rreth 11.000 janë burgosur në Libi.

 Nga UNHCR-ja  theksojnë se emigrantët dhe refugjatët që përpiqen të arrijnë në jug të Evropës po përballen me "kushte të tmerrshme".

 Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR