• e enjte, 26 dhjetor 2024

Ulutash: NATO e mbështet dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit

Ulutash: NATO e mbështet dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit

Prishtinë, 24 prill 2024 (MIA) - Komandanti i KFOR-it, gjeneral-majori Ozkan Ulutash, ka deklaruar sot se gjatë vizitës së tij në selinë e NATO-s në Bruksel është takuar me zyrtarë të lartë civilë dhe ushtarakë të NATO-s, duke përfshirë sekretarin e përgjithshëm Jens Stoltenberg dhe ambasadorë nga të gjitha vendet që kontribuojnë me trupa në misionin KFOR-i.

Komandanti i KFOR-it ka thënë se vizita e tij ka qenë mjaft produktive dhe se ai ka informuar bashkëbiseduesit e tij me mbi gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe rajon, si dhe mbi prioritetet e KFOR-it në të ardhmen.

Ulutash tha se NATO vazhdon të mbështesë plotësisht dialogun e BE-së ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, teksa kërkoi nga palët të përmbahen nga retorika dhe veprimet destabilizuese, dhe në vend të kësaj të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja në mirëbesim.

“Së pari, aleatët dhe partnerët e NATO-s mbështesin plotësisht përpjekjet tona të përditshme për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. Sipas mandatit tonë, bazuar në Rezolutën 1244 të KS të OKB-së të vitit 1999. KFOR-i mbetet një shtyllë themelore për sigurinë në mbarë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal”, ka thënë gjenerali turk.

“Së dyti, KFOR-i është misioni më i gjatë dhe tani më i madh i NATO-s dhe përfaqëson një demonstrim konkret dhe të prekshëm të përkushtimit të palëkundur të NATO-s për stabilitetin rajonal. NATO vazhdon në rrugën e vet. Ne do të sigurojmë që misioni ynë të mbetet i pajisur mirë dhe i pozicionuar mirë për të vazhduar zbatimin e mandatit të tij të OKB-së si reagues i tretë i sigurisë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për sundimin e ligjit”.

“Së treti, mund të ketë vetëm një zgjidhje politike për situatën aktuale. Një zgjidhje që njeh dhe respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Në këtë aspekt, NATO vazhdon të mbështesë plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe KFOR-i do të vazhdojë të luajë rolin e tij mbështetës”, ka thënë gjenerali turk.

Ai më tej ka thënë se “një zgjidhje e qëndrueshme politike varet, në fund të fundit, nga një angazhim i të gjitha palëve për t’u përmbajtur nga retorika dhe veprimet destabilizuese, dhe në vend të kësaj të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja në mirëbesim. Kjo është kyçe për sigurinë e qëndrueshme të të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë për një të ardhshme më të mirë për gjeneratat që do të vijnë, dhe për stabilitetin rajonal”. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR