• e enjte, 26 dhjetor 2024

Ukraina paralajmëron se po vijnë muaj të vështirë dimri

Ukraina paralajmëron se po vijnë muaj të vështirë dimri

Kiev, 21 shtator 2023 (MIA) - Ukraina sot paralajmëroi se po vijnë muaj të vështirë dimri, pasi sulmet "masive" ruse me raketa mbi infrastrukturën civile rezultuan me raste të vdekjes dhe të lënduar përgjatë gjithë Ukrainës.

Cak i Moskës ishin qytetet nga Rivne në Ukrainën perëndimore deri në Herson në jug, kryeqytetin Kiev dhe qytetet në qendër dhe pjesën verilindore të vendit. 

Të paktën tre persona humbën jetën në Herson, ndërsa shumë të tjerë ishin lënduar në pjesë të tjera të Ukrainës, përderisa autoritetet ende po kërkojnë viktimat në disa qytete. 

Rusia i filloi sulmet derisa Ukraina po përgatitet për dimrin e tretë nën pushtimin 19-mujor të Moskës, dhe derisa presidenti Volodomir Zelenski është në Uashington për të dytën herë nga fillimi i luftës. 

"Muaj të vështirë janë përpara - Rusia do të sulmojë infrastrukturën energjetike dhe objektet kryesore," tha Oleksej Kuleba, zëvendës shefi i kabinetit të presidentit. Ai shtoi se Moska po synon "infrastrukturën civile" në të gjithë Ukrainën.

Guvernatori i Hersonit, Oleksandar Prokudin, deklaroi se dy viktimat janë burra të moshës prej 29 dhe 41 vjet. 

Kryetari Roman Mroçko më vonë deklaroi se është vrarë edhe një grua 81-vjeçare. 

Operatori shtetëror energjetik "Ukrenegro" njoftoi se 398 vendbanime janë pa rrymë, sepse sulmet i kanë dëmtuar kapacitetet energjetike në vend. 

"Ka ndërprerje të pjesshme të energjisë në rajonet Rivne, Zhitomir, Kiev, Dnipropetrovsk dhe Harkov," njoftuan ata në Telegram.

Sulmet ruse me raketa vijnë gjatë kohës së qëndrimit të Zelenskit në SHBA, në përpjekje që të sigurojë ndihmë të re për Ukrainën - e cila me muaj po kryen kundërofensivë.

Ai do të takohet me presidentin amerikan Xho Bajden dhe do të shkojë në Pentagon për të kërkuar më shumë armë për Kievin pas fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ku ai dënoi "gjenocidin" rus. fc/

Fotografia: EPA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR