• e shtunë, 23 nëntor 2024

Ukraina në krye të agjendës në samitin e G7 në Itali

Ukraina në krye të agjendës në samitin e G7 në Itali

Romë, 13 qershor 2024 (MIA) - Liderët e G7 po tubohen në Itali për takim treditor, ku pritet të dominojnë temat për luftërat në Ukrainë dhe Gazë, si dhe tensionet në rritje të marrëdhënieve me Kinën në fusha të tilla si tregtia dhe siguria, raportoi DPA.

Presidenti ukrainas, Vollodimir Zelenski është ftuar të marrë pjesë në takimin e G7, i cili fillon sot në vendpushimin Borgo Enjasia, në juglindje të qytetit Bari në rajonin jugor Pulja.

Ukraina do të jetë në krye të agjendës në takimin e demokracive të zhvilluara industriale në botë: Britania e Madhe, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara. Është përfshirë edhe Bashkimi Evropian. Kievi mund të presë të marrë paketë të re të madhe të ndihmës nga G7 për mbrojtje nga Rusia. Udhëheqësit do dakordohen të financojnë hua prej 50 miliardë dollarë për Ukrainën me interes nga fondet e ngrira shtetërore ruse. Shumica e fondeve të ngrira, rreth 210 miliardë euro, ndodhen në Bashkimin Evropian. Paratë ruse gjenerojnë miliarda të ardhura nga interesi çdo vit.

Pas negociatave disamujore, Bajden dhe Zelenski do të nënshkruajnë marrëveshje dypalëshe të sigurisë midis SHBA-së dhe Ukrainës në kuadër të samitit të G7, kumtoi Shtëpia e Bardhë.

Në bisedimet në Itali, krahas Zelenskit, do të marrin pjesë edhe liderët e Turqisë, Brazilit dhe Indisë.

Papa Françesku do të jetë lideri i parë i Kishës Katolike që do të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të G7. Ai është ftuar të flasë për rreziqet që i sjell inteligjenca artificiale. Tema tjera i përfshijnë marrëdhëniet me Afrikën dhe migracionin. rq/bsh/

Foto: Uikipedia

 

QËNDRONI TË LIDHUR