• e enjte, 26 dhjetor 2024

Ukraina, Lindja e Mesme dhe Sudani temat e Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së

Ukraina, Lindja e Mesme dhe Sudani temat e Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së

Bruksel, 22 prill 2024 (MIA) - Ngjarjet në Ukrainë si rezultat i agresionit rus ndaj vendit, ngjarjet aktuale të Lindjes së Mesme dhe situata në Sudan janë temat kryesore të seancës së Këshillit për Punë të Jashtme të Bashkimit Evropian që sot do të mbahet në Luksemburg dhe me të cilën do të udhëheqë përfaqësuesi i BE-së për Punë dhe Politikë të Jashtme, Zhosep Borell. 

Këshilli do të fillojë me një takim të përbashkët të ministrave të punëve të jashtme dhe mbrojtjes së shteteve anëtare të BE-së mbi temën e agresionit rus kundër Ukrainës. Debati do të fillojë me shkëmbimin e pikëpamjeve të ministrave evropianë me homologët e tyre ukrainas për punët e jashtme dhe mbrojtjen Dmitro Kuleba dhe Rustem Umerov përmes lidhjes videokonferencës.

Siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, pritet që Këshilli i ministrave evropianë të riafirmojë solidaritetin e BE-së me Ukrainën dhe me popullin ukrainas dhe përkushtimin për mbështetjen e fortë për ekonominë, shoqërinë, forcat e armatosura dhe rindërtimin e vendit. Nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës, BE-ja dhe anëtarët e saj kanë ndarë fonde prej mbi 143 miliardë eurosh për vendin dhe popullin e tij, prej të cilëve 81 miliardë euro për mbështetje financiare dhe buxhetore dhe ndihmë humanitare, 33 miliardë euro për mbështetje ushtarake, 17 miliardë euro ndihmë për refugjatët në Union dhe 12.2 miliardë euro në formën e granteve, kredive dhe garancive.

Në takim do të diskutohen edhe zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme pas sulmeve iraniane ndaj Izraelit, gjë që rriti më tej tensionet në rajon të nisura nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit tetorin e kaluar dhe pasojat e tyre në zhvillimet në terren dhe në rajon më gjerë. BE-ja dënoi fuqishëm dhe pa mëdyshje sulmin iranian ndaj Izraelit dhe shprehu solidaritetin e plotë me popullin izraelit dhe angazhimin për sigurinë e vendit dhe stabilitetin rajonal dhe ripohoi angazhimin e saj për një armëpushim të menjëhershëm, lirimin e pakushtëzuar të të gjithë pengjeve dhe sigurimin e qasjes së plotë, të shpejtë, të sigurt dhe të papenguar humanitar për palestinezët.

Krahas këtyre temave, shefat e diplomacisë së vendeve anëtare do të diskutojnë edhe për çështje aktuale që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e jashtme të BE-së. qa

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR