• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Ukraina i ka bërë thirrje Brazilit ta arrestojë Putinin nëse vjen në samitin e G-20

Ukraina i ka bërë thirrje Brazilit ta arrestojë Putinin nëse vjen në samitin e G-20

 Kiev, 14 tetor 2024 (MIA) - Kryeprokurori i Ukrainës Andrij Kostin sot deklaroi se ka marrë informacione të inteligjencës se presidenti rus Vladimir Putini mund të marrë pjesë në samitin e G-20 në Brazil muajin e ardhshëm, dhe për këtë arsye u bëri thirrje autoriteteve atje që të lëshojnë urdhër për arrestimin e tij nëse paraqitet në takim.

Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë (GJNP) lëshoi urdhër për arrestin e Putinit në mars të vitit 2023, rreth një vit pas sulmit rus në Ukrainë, duke e akuzuar atë për krim lufte - dëbimit të fëmijëve, raportuan mediat britanike. 

 Kremlini e hodhi poshtë kërkesën e GJNP-së si të pavlefshme.

 Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskovi,sot  para gazetarëve  mohoi  se ishte marrë vendim që Putin të marrë pjesë në takimin e G-20.

 "Kur të merret vendimi, do t'ju informojmë", shtoi Peskovi.

Prokurori ukrainas Kostin tha se ishte e rëndësishme që komuniteti ndërkombëtar të jetë i bashkuar dhe të kërkojë përgjegjësi nga Putini.

 Ai shtoi se është detyrë e autoriteteve braziliane, sipas Statutit të Romës,  i cili themeloi GJPN-në, ta arrestojnë Putinin nëse ai guxon të vijë në samit.

 Sipas tij, kjo do ta dëshmojë statusin e Brazilit si një shtet demokratik ku mbizotëron sundimi i ligjit, ndërsa në të kundërt do të krijonte një precedent që do të thotë se liderët e akuzuar për krime mund të udhëtojnë pa u ndëshkuar.

 Brazili i ka dërguar ftesë standarde Putinit për të marrë pjesë në samitin e G-20 në Rio de Zhanejro më 18-19 nëntor, por nuk ka marrë konfirmim për ardhjen e tij, deklaruan dy përfaqësues të qeverisë braziliane.

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

QËNDRONI TË LIDHUR