• e mërkurë, 04 shkurt 2026

Ukraina dhe Rusia e filluan raundin e dytë të bisedimeve në Abu Dabi

Ukraina dhe Rusia e filluan raundin e dytë të bisedimeve në Abu Dabi

Abu Dabi, 4 shkurt 2026 (MIA) – Negociatorët ukrainas dhe rus sot në Abu Dabi e filluan raundin e dytë të bisedimeve për përfundimin e luftës me ndërmjetësim të SHBA-së. 

Takimet dyditore trepalëshe vijnë pasi presidenti ukrainas Volodomir Zelenski deklaroi se Rusia e shfrytëzoi marrëveshjen e javës së kaluar për armëpushim “energjetik”, të arritur me ndihmën e SHBA-së, që të grumbullojë municion, duke e sulmuar dje Ukrainën me numër rekord të raketave balistike. 

“Edhe një raund i bisedimeve filloi në Abu Dabi. Procesi i bisedimeve filloi në format trepalësh të Ukrainës, SHBA-së dhe Rusisë”, njoftoi kryenegociatori ukrainas Rustem Umerov në Telegram. 

Umerov tha se ekipet do të takohen edhe në grupe të ndara që të bisedojnë për tema specifike, pas çka do të vijojë takim i përbashkët për harmonizimin e qëndrimeve. 

Gjatë vitit të kaluar, administrata e presidentit amerikan, Donald Tramp, ka inkurajuar si Kievin ashtu edhe Moskën të gjejnë kompromis për t'i dhënë fund konfliktit katërvjeçar, i cili filloi me pushtimin rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, por të dyja palët mbeten të distancuara në pikat kyçe pavarësisht disa raundeve bisedimesh me përfaqësuesit amerikanë.

Çështjet më të ndjeshme janë kërkesa e Moskës që udhëheqësia në Kiev të heqë dorë nga territori të cilin e kontrollon dhe fati i centralit bërthamor Zaporozhjë, më i madhi në Evropë, i cili gjendet në zonën nën okupimin rus. 

Si kusht për çdo marrëveshje, Moska dëshiron që Kievi të tërheqë trupat e tij nga i gjithë rajoni lindor i Donjeckut, përfshirë brezin e qyteteve të fortifikuara rëndë që konsiderohet si një nga mbrojtjet më të forta të Ukrainës. Ukraina ka thënë se konflikti duhet të ngrijë përgjatë vijës aktuale të frontit dhe ka hedhur poshtë çdo tërheqje të njëanshme të forcave të saj.

Rusia momentalisht kontrollon rreth 20 për qind të territorit të Ukrainës, duke përfshirë Krimenë dhe disa pjesë të rajonit lindor Donbas të marra para pushtimit në vitin 2022. Analistët ushtarakë raportojnë se forcat ruse morën rreth 1,5 për qind të territorit ukrainas nga fillimi i vitit 2024. 

Raundi i parë i bisedimeve u mbajt në EBA muajin e kaluar, që ishin bisedimet e para të drejtpërdrejta ndërmjet Moskës dhe Kievit. fc/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR