• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Uashingtoni i gatshëm për ditën e zgjedhjeve- polici, barrikada të sigurisë, dërrasa në vitrinat e dyqaneve...

Uashingtoni i gatshëm për ditën e zgjedhjeve- polici,  barrikada të sigurisë, dërrasa në vitrinat e dyqaneve...

Uashington, 5 nëntor 2024 (MIA) - Barrikada të sigurisë, dërrasa në vitrina dhe prania e dukshme policore - kryeqyteti i SHBA-së po përgatitet për zgjedhjet presidenciale, duke u frikësuar nga përsëritja e dhunës që goditi Uashingtonin katër vjet më parë.

Autoritetet në kryeqytetin e SHBA-së paralajmëruan se presin "situatë jostabile dhe të paparashikuar të sigurisë" në ditët dhe javët rreth zgjedhjeve dhe nuk besojnë se fituesi do të shpallet në ditën e votimit.

Përkujtimi i 6 janarit të vitit 2021, ditën kur mbështetësit e ish presidentit republikan Donald Tramp sulmuan Kapitolin e SHBA-së, qendrën e demokracisë amerikane, është ende i pranishëm në Uashington.

"Në shumë mënyra, përgatitjet tona për vitin 2024 filluan që nga 7 janari i vitit 2021", tha zyrtari i qytetit Kristofer Rodrigez.

Uashingtoni ishte një vend i protestave të dhunshme edhe para zgjedhjeve të fundit, kur demonstrantët e nismës antiraciste "Black Lives Matter 2020" u përleshën me policinë.

Vetëm disa hapa larg Shtëpisë së Bardhë, punëtorët filluan të instalojnë pllaka druri të premten për të mbrojtur dritaret e disa zyrave. Një barrierë sigurie ka qëndruar aty prej disa javësh, duke penguar hyrjen në shumicën e shesheve përreth rezidencës presidenciale. Në të njëjtën kohë, punëtorët po ndërtojnë platformën që do të përdoret në inaugurimin presidencial në janar.

Këto punime tradicionalisht nisin tashmë në nëntor, por më 6 janar 2021, punëtorët duhej të evakuonin kantierin. Këtë vit autoritetet vendore thanë se punimet kanë nisur një muaj më herët për të siguruar kohë të mjaftueshme në rast të një situate të pasigurt.

Në mbledhjen e Këshillit të Qytetit javën e kaluar, Rodrigez konkretisht paralajmëroi në dezinformata në rrjetet sociale që mund ta rrezikojnë sigurinë publike në Uashington.

"Ngjarjet botërore, siç është konflikti në Gaza, rritën "kompleksitetin" e situatës dhe rrezikun nga "dhuna politike", tha ai.

FBI do të ketë një qendër komanduese për ta ndjekur situatën e sigurisë rreth zgjedhjeve në kryeqytetin amerikan, ndërsa të njejtën do ta bëjnë edhe shërbimet e sigurisë.

Vetë policia e qytetit nuk pranoi të komentojë mënyrën e përgatitjes së saj. Prefektja e qytetit Muriel Bauzer tha në një konferencë për media në tetor se policia e Uashingtonit përgjegjëse për sigurinë e Kongresit do të ishte gati për zgjedhjet.

Kryeshefja e policisë së qytetit Pamela Smith tha se për momentin nuk është identifikuar ndonjë kërcënim rreth zgjedhjeve. Ajo theksoi se do të lejohen protesta të qeta, por që nuk do të tolerojë dhunë.

Ajo paralajmëroi një prani të dukshme policore në qytet, me katër mijë përforcime më 20 janar, në ditën e inaugurimit të presidentit të ri. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR