• e premte, 27 dhjetor 2024

Uashington post: Udhëheqësia e Ukrainës ka frikë se kundërofensiva nuk do t'i përmbushë shpresat e Perëndimit

Uashington post: Udhëheqësia e Ukrainës ka frikë se kundërofensiva nuk do t'i përmbushë shpresat e Perëndimit

Kiev, 7 maj 2023 (MIA) - Udhëheqësia ushtarake e Ukrainës po përpiqet të bindë Perëndimin që të kufizojë pritshmëritë e tij për kundërofensivën e planifikuar, sepse nuk është e sigurt se do të ketë sukses të kthejë valën e konfliktit, shkruan gazeta amerikane“Uashington Post”, duke iu referuar intervistës me presidentin ukrainas, Volodomir Zelenski dhe ministrin e mbrojtjes, Aleksej Reznikov.

"Pritjet për kundërofensivën tonë janë mbivlerësuar nga bota. Shumica e njerëzve presin diçka të madhe", tha Reznikov.

Sipas tij, pritjet e tilla mund të shkaktojnë "dëshpërim emocional". 

Zyrtarët në Kiev kanë frikë se Ukraina, në rast dështimi, mund të humbasë furnizimet me ndihmë ushtarake dhe Perëndimi mund të përpiqet ta detyrojë vendin të ulet në tryezën e bisedimeve me Rusinë, shkruan Uashington Post.

Gazeta thekson se, sipas një numri të madh të ekspretëve, do të ishte e vështirë, e madje edhe e pamundur të kthehet Rusia në pozicionet të cilat i kishte para fillimit të konfliktit në shkurt të vitit të kaluar.

"Mendoj se sa më shumë fitore që kemi në fushëbetejë, aq më shumë njerëz do të na besojnë, që domethënë se do të kemi ndihmë më të madhe", tha Zelenski.

Ai theksoi se Ukraina do të jetë e gatshme të fillojë ofensivë "sapo të marrë armët për të cilat është marrë vesh me partnerët", Afati, megjithatë, mund të ndryshohet varësisht kushteve të motit, precizoi Zelenski.

Sipas Reznikov, "grupi i parë sulmues ukrainas" është më shumë se 90 për qind i gatshëm për kundërofensivë, por disa ushtarë ende nuk e kanë përfunduar trajnim jashtë.

"Nevoja kryesore e forcave të armatosura ukrainase për momentin janë sistemet për mbrojtje kundërajrore", theksoi ai. 

Zelenski shtoi se Kievi nuk do të presë dërgimin e avionëve luftarakë për të nisur një kundërofensivë. “Do të ishte shumë më e lehtë nëse Ukraina do të kishte F-16. Tani po humbasim në qiell”, tha ai.

Më parë, koordinatori për komunikime strategjike i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Xhon Kirbi, deklaroi se SHBA-ja nuk po shqyrton ende mundësinë e furnizimit të Ukrainës me aeroplanë luftarakë F-16.

Presidenti i SHBA-së Xho Bajden, tha gjithashtu, se dorëzimi i aeroplanëve luftarakë amerikanë "nuk është prioritet për momentin".

Në të njëjtën kohë, më 4 mars, kanali televiziv En-Bi-Si informoi për arritjen e dy pilotëve ukrainas në SHBA për trajnim të mundshëm të aeroplanëve ushtarakë perëndimorë, përfshirë edhe F-16. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR