• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Turqia ka mbyllur kufirin me Sirinë

Turqia ka mbyllur kufirin me Sirinë

Ankara, 2 korrik 2024 (MIA) – Turqia sot e mbylli pikën kryesore kufitare me Sirinë verilindore pasi ushtarët turq u sulmuan nga sirianë të zemëruar për dhunën ndaj bashkatdhetarëve të tyre në Turqi.

Dhuna ndaj sirianëve në Turqi filloi të dielën mbrëma pasi në rrjetet sociale u publikua se një burrë sirian kishte abuzuar me një të afërm në Kajseri, në Turqinë qendrore. Policia po heton rastin.

Në Kajseri janë shkatërruar prona siriane, shtëpi dhe automjete. Dhuna u përhap në provincat Hataj, Gaziantep, Konja, Bursa dhe Stamboll. Në rrjetet sociale u raportua se ka sirianë të plagosur.

"Policia turke arrestoi 474 persona të përfshirë në sulmet e mbrëmshme ndaj komunitetit sirian në të gjithë vendin, deklaroi ministri turk i Punëve të Brendshme, Ali Jerlikaja.

Për shkak të dhunës në Turqi, qindra sirianë dolën në rrugë mbrëmë në disa qytete në veriperëndim të Sirisë, të cilat janë nën kontrollin e kryengritësve, zonë ku Turqia ka dislokuar mijëra trupa. Ata u përleshën me ushtarët turq. Qyteti kufitar sirian Afrin ishte vendi u përleshjeve më të ashpra, ku të paktën katër persona humbën jetën. Civilët hodhën gurë mbi autokolonat turke në disa qytete dhe hoqën flamurin turk nga disa zyra. Disa zyrtarë turq i kanë përshkruar trazirat në Siri si "provokime".

Ankaraja mbrëmë për shkak të trazirave në Sirinë veriperëndimore e mbylli vendkalimin kufitar Bab al-Haba, një rrugë kryesore tregtare dhe udhëtimi për më shumë se tre milionë banorë, si dhe Bab al-Salam dhe vendkalime tjera më të vogla.

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan për sulmet ndaj sirianëve fajësoi opozitën duke theksuar se ata po përhapin racizëm në një vend që janë të akomoduar mbi tre milionë refugjatë nga Siria.

Asgjë nuk mund të arrihet duke nxitur ksenofobinë apo urrejtjen ndaj refugjatëve, tha Erdogan. ls/

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR