• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Turqia dënon sulmin izraelit ndaj ekipit të TRT-së në Gazë

Turqia dënon sulmin izraelit ndaj ekipit të TRT-së në Gazë

Ankara, 19 gusht 2024 (MIA) - Shefi i Zyrës së komunikimit të presidentit të Turqisë, Fahretin Altun dënoi sulmin izraelit ndaj ekipit të reporterëve të TRT në Gazë, raportojnë mediat turke.

Altun në rrjetet sociale tha se Izraeli sulmon edhe gazetarët.

"Dënoj sulmin ndaj ekipit të TRT-së të cilët u vunë në shënjestër të drejtpërdrejtë nga snajperët izraelitë gjatë detyrës. Në Gazë nuk ka më vende, as në varreza. Përveç krimeve gjenocidale, Izraeli sigurisht që do të jetë përgjegjës për sulmet dhe masakrat kundër TRT dhe gazetarëve të tjerë të cilët hapën një "korridor komunikimi" nga Gaza me botën, i uroj reporterit të TRT-së Sami Berhum dhe gjithë ekipit të TRT-së shërim të shpejtë", tha Altun. 

Armata izraelite dje sulmoi një automjet të drejtuar nga TRT servisi në gjuhën arabe në qytetin Kan Junis në pjesën jugore të Rripit të Gazës, në një zonë që ata pretendojnë se është e sigurt.

Korrespondenti i TRT arabisht në Gazë, Sami Berhum tha se ushtarët izraelitë shënjestruan automjetin në Kan Junis edhe pse ishte një ekip gazetarësh.

"Ne ishim në shënjestër për të katërtën herë që nga fillimi i luftës edhe pse kishim automjet për gazetarët, helmetë dhe jelek antiplumb. Shkuam për të bërë lajme në zonën në veri të Kan Junis të cilën Izraeli e konsideron të sigurt, ku janë të përqendruar palestinezët e zhvendosur", tha Berhum.

Ai theksoi se ata u qëlluan nga snajperët izraelitë të vendosur në kodra.

"Ata qëlluan brenda dhe rreth automjetit. Ata vazhduan të gjuanin për rreth 15 minuta pasi ne u larguam pesë metra nga automjeti", tha Berhum.

Ai theksoi se nuk ka vend të sigurt në Gazë.

"Ushtarët izraelitë qëllojnë drejt nesh, pa asnjë paralajmërim. Ata qëlluan drejtpërdrejt në automjetin tonë, qëlluan në xhamin e përparmë të automjetit dhe kameramanin tonë", tha Berhum. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR