Zelenski: Propozimi amerikan për mineralet e rralla është zgjeruar në mënyrë dramatike
- Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski tha mbrëmë se Kievi nuk do të pranojë asnjë marrëveshje për mineralet e rralla, që do të rrezikonte integrimin në Bashkimin Evropian, duke shtuar se është shumë herët për të nxjerrë një përfundim për "marrëveshjen e zgjeruar në mënyrë dramatike" të propozuar nga SHBA.
- Post By Sara Ademi
- 10:22, 29 mars, 2025

Kiev, 29 mars 2025 (MIA) - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski tha mbrëmë se Kievi nuk do të pranojë asnjë marrëveshje për mineralet e rralla, që do të rrezikonte integrimin në Bashkimin Evropian, duke shtuar se është shumë herët për të nxjerrë një përfundim për "marrëveshjen e zgjeruar në mënyrë dramatike" të propozuar nga SHBA.
Sipas tij, teksti është "krejtësisht i ndryshëm" nga draft-marrëveshja e mëparshme, e cila supozohej të nënshkruhej me presidentin amerikan Donald Tramp para negociatave të muajit të kaluar, të cilat u përshkallëzuan në një përplasje verbale.
"Nuk dua të nxis një valë komentesh, dua që avokatët e nivelit më të lartë të bëjnë një analizë", theksoi Zelenski.
Zëvendëskryeministrja e parë e qeverisë ukrainase dhe ministre e ekonomisë Julia Sviridenko deklaroi dje se kanë marrë versionin e punës të tekstit të marrëveshjes me SHBA-në për mineralet e rralla të tokës dhe se po punohet për të formuluar qëndrimin e Ukrainës për dokumentin.
"E kemi marrë tekstin e marrëveshjes, aktualisht jemi duke punuar për të. Është një version pune, i cili në thelb pasqyron qëndrimin e këshilltarëve ligjorë amerikanë, ne jemi duke formuar pozicionin tonë", deklaroi Sviridenko.
Propozimi i fundit amerikan kërkon që Kievi të dërgojë të gjitha të ardhurat nga fondi në Uashington, i cili do të kontrollojë burimet e Ukrainës derisa Ukraina të kthejë ndihmat ushtarake të SHBA-së me interes.
Sipas tre burimeve të paidentifikuara, Uashingtoni ka ndryshuar kërkesat e tij. Sipas draftit të fundit, Ukraina nuk do të ketë garanci sigurie dhe kërkohet të kontribuojë në një fond investimi të përbashkët me të ardhura nga burimet natyrore të menaxhuara nga kompanitë shtetërore dhe private.
Sipas përmbledhjes, drafti përcakton se Uashingtoni do të ketë përparësi në blerjen e burimeve dhe kthimin e të gjitha parave të dërguara në Ukrainë nga viti 2022, me një normë interesi vjetore prej katër për qind, përpara se Ukraina të fitojë akses në të ardhurat e fondit.
Fondi i përbashkët i investimeve do të menaxhohej nga Korporata Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar dhe fondi do të kishte pesë anëtarë të bordit, tre prej të cilëve do të emëroheshin nga SHBA dhe dy nga Ukraina. Mjetet do të shkëmbeheshin me valutë të huaj dhe do të dërgoheshin jashtë vendit. sa/
foto: EPA