• e martë, 24 dhjetor 2024

Tridhjetë ditë paraburgim për serbin e dyshuar për sulmin e vitit të kaluar ndaj pjesëtarëve të KFOR-it

Tridhjetë ditë paraburgim për serbin e dyshuar për sulmin e vitit të kaluar ndaj pjesëtarëve të KFOR-it

Prishtinë, 16 nëntor 2024 (MIA) - Gjykata Themelore në Prishtinë sot ka pranuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit për shtetasin kosovar me përkatësi serbe me iniciale M.D., i cili dyshohet se ka marrë pjesë në sulmin ndaj pjesëtarëve të Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it si dhe në protestat e vitit të kaluar në Zveçan në veri të Kosovës, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Bëhet fjalë për personin Marko Daniq i cili ishte arrestuar një ditë më parë për sulmet e majit të vitit 2023.

Në njoftimin e Prokurorisë Speciale thuhej se ai dyshohet për veprat penale “Bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese”, “Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”, “Pjesëmarrja në turmë që kryen veprën penale dhe huliganizmi”, dhe “Sulmi ndaj personit zyrtar”. 

Dhuna në Zveçan kishte shpërthyer pasi serbët lokalë patën kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Si pasojë e dhunës kishin mbetur të plagosur 93 pjesëtarë të KFOR-it, disa prej tyre rëndë.

KFOR-i ka thënë më herët se sulmi ndaj ushtarëve të tij ishte kryer “pa asnjë provokim” dhe se ishte “plotësisht i papranueshëm”.

Kosova ka fajësuar Serbinë për ngjarjet në Zveçan, duke thënë se ato janë kryer nga “grupe kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.

Foto: KoSSev

QËNDRONI TË LIDHUR