• e premte, 27 dhjetor 2024

“Trialog” për rregulloren e mekanizmit financiar për Ballkanin Perëndimor

“Trialog” për rregulloren e mekanizmit financiar për Ballkanin Perëndimor

Bruksel, 14 mars 2024 (MIA) - Komisari evropian për politikë të fqinjësisë dhe zgjerim, Oliver Varhej si përfaqësues i Komisionit Evropian sot së bashku me negociatorët e Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Evropian po merr pjesë në "trialogun" për Propozim-rregulloren për mekanizmin e reformave dhe rritjes në Ballkanin Perëndimor.

Bëhet fjalë për tekst ligjor që rregullon funksionimin e instrumentit për mbështetjen financiare të Planit të Komisionit Evropian për rritje në Ballkanin Perëndimor, qëllimi i të cilit është të nxisë progresin demokratik, ekonomik dhe social të vendeve të rajonit që aspirojnë për anëtarësim në BE, promovimin e bashkëpunimit dhe stabilitetit më të madh rajonal dhe afrimin gradual të këtyre shteteve me strukturat e Unionit.

Siç bën të ditur korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, premisa bazë e idesë së Komisionit Evropian gjatë propozimit të Planit ka qenë bindja e plotë mbi perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor - Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Kosova, Serbia dhe Mali i Zi dhe nevoja e forcimit të lidhjeve të ngushta kulturore, historike dhe gjeografike dhe bashkëpunimit të ndërsjellë në një sërë fushash të rëndësishme.

Ky instrument konfirmon edhe një herë angazhimin e qartë për anëtarësimin e ardhshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe bën thirrje për përshpejtimin e procesit bazuar në vlerat e përbashkëta të respektimit të parimeve të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, zbatimin e reformave të besueshme nga ana e vendeve të rajonit dhe kushtëzimi i drejtë.

Si provë e këtij angazhimi, BE-ja ofron ndihmë të konsiderueshme dhe mbështetje financiare për vendet e rajonit për të arritur integrimin e tyre gradual në tregun e përbashkët evropian që t’i paraprijë bashkëpunimi i fuqishëm, mbështetja evropiane dhe integrimi rajonal, si dhe forcimi i marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike si faktor kyç për realizimin me sukses të qëllimeve të përbashkëta.

Mekanizmi i reformës dhe rritjes në Ballkanin Perëndimor do ta rrisë ndjeshëm ndihmën financiare të BE-së për rajonin që synon të mbështesë reformat socio-ekonomike dhe fondamentale dhe investimet. Për këtë qëllim janë planifikuar gjashtë miliardë euro për periudhën 2024-2027 nga të cilat dy miliardë euro në formë të granteve – mbështetje e pakthyeshme dhe katër miliardë euro kredi nën kushte preferenciale.

Sipas vlerësimit të PE-së, ky instrument duhet të lejojë që ekonomitë e Ballkanit Perëndimor të afrohen me BE-në duke respektuar standardet evropiane, si dhe të forcojë partneritetet kulturore, arsimore, akademike, kërkimore dhe krijuese të rajonit me ato të Unionit, sepse përveç forcimit të ekonomive, ekziston një potencial i konsiderueshëm për zhvillimin e marrëdhënieve më të ngushta dhe mirëkuptimit më të madh reciprok.

Në propozimin e Këshillit të BE-së parashikohet precizim i qëllimeve specifike të Mekanizmit dhe kushtet për pagesën e mbështetjes financiare. Një nga propozimet kryesore ka të bëjë me forcimin e rolit të Këshillit të BE-së në menaxhimin e Mekanizmit, veçmas në miratimin dhe plotësimin e agjendave reformuese të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe monitorimin dhe vlerësimin e përmbushjes së kushteve të përcaktuara për pagesën e mbështetjes.

Gjithashtu, Këshilli propozon që të vendoset fokus më i fuqishëm në përafrimin e vendeve të rajonit me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së.

Komisioni Evropian prezantoi Planin e ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor më 8 nëntor të vitit të kaluar. Ai bazohet në katër shtylla që mëtojnë forcimin e integrimit ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor me tregun e vetëm evropian, përforcimin e integrimit ekonomik ndërmjet vendeve të rajonit përmes një tregu të përbashkët rajonal, përshpejtimin e reformave bazë dhe rritjen e ndihmës financiare për të mbështetur proceset reformuese përmes Mekanizmit për reforma dhe rritje.

Me rishikimin e Kornizës financiare shumëvjeçare të BE-së për periudhën 2021-2027, për Mekanizmin për reformën dhe rritjen në Ballkanin Perëndimor janë ndarë dy miliardë euro shtesë.

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR