Tre të vdekur nga zjarret në Spanjë, evakuime masive në të gjithë vendin
- Numri i të vdekurve nga zjarret në Spanjë është rritur në tre, prej se një vullnetar vdiq për shkak se pësoi djegie të rënda derisa ndihmonte në shuarjen e zjarrit në provincën Zamora, kumtoi kryetari i rajonit Kastila dhe Leon, Alfonso Fernandez Manueko.
- Post By Ramize Qamili
- 15:22, 14 gusht, 2025
Madrid, 14 gusht (MIA) - Numri i të vdekurve nga zjarret në Spanjë është rritur në tre, prej se një vullnetar vdiq për shkak se pësoi djegie të rënda derisa ndihmonte në shuarjen e zjarrit në provincën Zamora, kumtoi kryetari i rajonit Kastila dhe Leon, Alfonso Fernandez Manueko.
Kjo është viktima e dytë në këtë rajon dhe e treta në vend që nga fillimi i valës së fundit të zjarreve.
Situata është më kritike në Ekstremadura, ku zjarri në komunën Harila është përhapur në mënyrë të pakontrolluar për tre ditë, duke mbuluar rreth 4.600 hektarë. Për këtë shkak, disa lagje janë evakuuar, duke përfshirë Harila, Kebezabellosa dhe Villar de Plasensia, ndërsa Oliva de Plasensia u bllokua plotësisht gjatë natës. Dy shtëpi u dogjën, ndërsa Garda civile kreu evakuime të detyruara për të mbrojtur banorët nga rreziku i afërt. Për shkak të erërave të forta dhe stuhive të thata, një pjesë e autostradës A-66 është mbyllur, duke e komplikuar më tej evakuimin.
Gjithsej 321 zjarrfikës dhe 12 aeroplanë, duke përfshirë njësinë nga Andaluzia, Kastilla-La Mança dhe Madridi, janë angazhuar në përpjekje për të vënë nën kontroll zjarrin, i cili shtrihet për 48 kilometra. Në rajonin e Orense, zjarret shkaktuan ndërprerje të komunikacionit hekurudhor midis Madridit dhe Galicisë.
Edhe pse trafiku u rinovua pjesërisht mëngjesin e sotëm, ai u ndal përsëri më pak se dy orë më vonë. Kompania hekurudhore "Renfe" kumtoi se trenat do të mbeten në stacione derisa të krijohen kushte të sigurta.
Në Terezi de Kofrentes në Valencia, një zjarr i shkaktuar nga një goditje rrufeje çoi në evakuimin e disa pjesëve të qytetit dhe të rajonit Ajora.
Midis 170 dhe 180 anëtarëve të Njësisë së emergjencave ushtarake dhe zjarrfikës janë përqendruar në dy pika të reja të nxehta të zbuluara nga dronë. Në terren janë vendosur deri në tetë aeroplanë, duke përfshirë mbështetje nga Aragon, ndërsa temperaturat pritet të rriten gjatë gjithë ditës.
Gjithsej janë mbyllur 14 rrugë në rajonet Kaseres, Zamora, Leon, Palensia dhe Uelva. Nga Brukseli është paralajmëruar ndihmë me dy tankë-aeroplanë të BE-së, konfirmoi ministri i Punëve të Brendshme i Spanjës, Fernando Grande-Marlaska. rq/
Foto: DPA