• e martë, 24 dhjetor 2024

Tre të vdekur dhe një numër i madh i të plagosurve në sulmet ruse ndaj katër zonave ukrainase

Tre të vdekur dhe një numër i madh i të plagosurve në sulmet ruse ndaj katër zonave ukrainase

Kiev, 27 mars 2024 (MIA) - Tre persona u vranë, ndërsa një numër i madh u plagosën në sulmet ruse ndaj katër rajoneve në Ukrainë, njoftuan autoritetet lokale. 

Guvernatori i Rajonit të Hersonit njoftoi se një grua 61-vjeçare është vrarë në shtëpinë e saj gjatë sulmit me fluturake pa pilot mbi fshatin Mihaillovska, në bregun e dhjathtë të lumit Dnjepër, ku kalon vija e frontit në këtë zonë jugore ukrainase.

Kryetari i Harkovit, Igor Terehov, në aplikacionin "Telegram" njoftoi për sulm rus ndaj një zone të banuar në qytet, në të cilin u vra një person, ndërsa 12 u plagosën, në mesin e të cilëve edhe katër fëmijë. Është shkaktuar dëm i konsiderueshëm në disa ndërtesa pesëkatëshe. Është dëmtuar edhe ndërtesa e Institutit të Ndihmës Mjekësore Emergjente, shtoi Terehov.

Zona e Harkovit, e cila e përfshin qytetin me po të njëjtin emër - i dyti për nga madhësia në Ukrainë - kufizohet me Rusinë dhe gati për çdo ditë granatohet nga ushtria ruse. 

Të paktën gjashtë persona u plagosën në një sulm rus me raketa ndaj qytetit Nikollaev, njoftoi shefi i administratës rajonale ushtarake Vitalij Kim. "Kemi informacione për gjashtë viktima, prej të cilëve një person është plagosur rëndë", shkroi Kim në Telegram.

Nga ana e tij, shefi i administratës ushtarake në rajonin Dnjepër, Serhij Lisak, njoftoi se një burrë 55-vjeçar është vrarë në granatimet ruse në qytetin Nikollopoll. Në qytet janë dëmtuar ndërtesa banesore dhe largpërçues, ndërsa informacionet për dëmet ende po azhurnohen. 

Gjithsej 13 fluturake ruse pa pilotë sulmuan disa rajone të Ukrainës mbrëmë, njoftoi në Telegram komandanti i forcave ajrore të Ukrainës, Mikola Oleshçuk. Dhjetë prej tyre u kapën nga mbrojtja ajrore ukrainase mbi rajonet Harkov, Sumi dhe Kiev, shtoi ai, pa specifikuar se çfarë ndodhi me tre fluturaket e tjera.

Ushtria ruse sot herët në mëngjes njoftoi se ka shkatërruar 18 predha të gjuajtura nga Ukraina me raketa hedhës "Vampir" drejt rajonit Bellgorod. 

Sipas guvernatorit rajonal Vjaçesllav Glladkov, një person është plagosur në këtë rajon kufitar, i cili është cak i shumë sulmeve ukrainase me fluturake pa pilot. fc/

Fotografia: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR