• e enjte, 26 dhjetor 2024

Transparensi: Pas deklaratave alarmante për dialogun, Kurti duhet t'i drejtohet edhe Kuvendit të Kosovës

Transparensi: Pas deklaratave alarmante për dialogun, Kurti duhet t'i drejtohet edhe Kuvendit të Kosovës

Prishtinë, 18 shtator 2023 (MIA) -  Dega në Kosovë e organizatës “Transparensi Interneshënëll”, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), vlerësoi se pas konferencës për shtyp në të cilën kryeministri Albin Kurti së bashku me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi folën për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë, Kurti duhet të paraqesë raport edhe para Kuvendit, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në një reagim të KDI-së thuhet se ata e mirëpresin informimin që Kurti bëri rreth dialogut dh se informimi i publikut rreth zhvillimeve në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, është thelbësor në garantimin e transparencës dhe llogaridhënies publike si dhe rritjen e besimit qytetar në këtë proces. 

Megjithatë, sipas tyre Kurti për këtë proces duhet t’u përgjigjet edhe deputetëve. 

"Megjithatë, kjo nuk e aminston kryeministrin nga përgjegjësia që pas deklarimeve të sotme alarmante, të raportojë sa më shpejt para Kuvendit të Kosovës, si institucioni më i lartë mbikëqyrës i politikës së jashtme. Raportimi i kryeministrit para Kuvendit përveç që është detyrë kushtetuese, është jetik për të mirëmbajtur një standard të qeverisjes demokratike dhe të përgjegjshme", thuhet në reagimin e KDI-së.

Sipas KDI-së në këtë drejtim edhe subjektet politike opozitare duhet të ushtrojnë rolin e tyre parlamentar që të mbajnë llogaridhënës ekzekutivin, siç thuhet, duke kërkuar raportime të rregullta të kryeministrit rreth dialogut me Serbinë. 

"Paraqitja e ekzekutivit në konferenca për media pas takimeve në kuadër të dialogut është pozitive, por nuk mund të jetë zëvendësim për obligimet kushtetuese ndaj institucionit të Kuvendit, në përputhje me parimet demokratike të ndarjes dhe balancimit të pushteteve", thuhet në reagim të degës së Kosovës së "Transparensi". 

 Duke informuar për raundin e fundit të negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, më 14 shtator në Bruksel, Kurti sot para mediave  deklaroi se shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Zhosep Borell, dhe ndërmjetësuesi në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ishin të sinkronizuar dhe në koordinim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR