• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Trampi u distancua nga strategu republikan i cili tha se Krimea do të mbetet ruse

Trampi u distancua nga strategu republikan i cili tha se Krimea do të mbetet ruse

Uashington, 10 nëntor 2024 (MIA) – Ekipi i tranzicionit i presidentit të sapozgjedhur, Donald Tramp, njoftoi mbrëmë se operativi republikan, i cili përshkroi konturet e mundshme të një plani paqeje të mbështetur nga SHBA-ja për Ukrainën, nuk foli në emër të presidentit të zgjedhur.

Brajan Lanza, një strateg i vjetër i Partisë Republikane, tha për Bi-Bi-Si se administrata e Trampit do të kërkojë nga presidenti ukrainas Volodimir Zelenski një "vizion më realist të paqes".

Ai deklaroi se prioriteti i administratës së re amerikane në Ukrainë do të jetë vendosja e paqes, jo kthimi i territorit të humbur ukrainas, përfshirë edhe Krimenë.

"Nëse presidenti Zelenski vjen në tryezë dhe thotë se mund të kemi paqe vetëm nëse e kthejmë Krimenë, ai do të na tregojë se nuk është serioz. Krimea është e humbur," tha ai.

Një zëdhënës i ekipit të tranzicionit të Trampit mohoi se Lanza flet në emër të Trampit. Ekipi i tij i tranzicionit aktualisht po shqyrton kandidatët për postet e administratës dhe po zhvillon politika që Trampi mund të miratojë gjatë mandatit të tij të dytë.

"Brajan Lanza ishte nën kontratë për fushatën," tha zëdhënësi anonim. "Ai nuk punon për presidentin Tramp dhe nuk flet për të", shtoi ai.

Trampi tha gjatë fushatës parazgjedhore se do të gjente një zgjidhje për t'i dhënë fund luftës "brenda një dite", por nuk shpjegoi se si do ta bënte atë.

Sipas mediave, Zelenski dhe Trampi kanë folur në telefon këtë javë, pas zgjedhjeve amerikane dhe në bisedë i është bashkuar edhe mbështetësi i Trampit, miliarderi Elon Mask. Trampi më parë ka refuzuar të përjashtojë mundësinë e dhënies së territorit ukrainas Rusisë dhe ka qenë i paqartë në deklaratat e tij për konfliktin.

Disa nga aleatët e tij të shquar kanë bërë propozime paqeje që në praktikë do të rezultonin në kontroll afatgjatë rus të zonave të njohura ndërkombëtarisht si territor ukrainas.

Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë në vitin 2014. Më shumë se dy vjet e gjysmë pas nisjes së një pushtimi të plotë të Ukrainës, forcat ruse kontrollojnë pak më pak se 20 për qind të territorit ukrainas. Zelenski ka deklaruar vazhdimisht se paqja nuk mund të vendoset për sa kohë që forcat ruse janë të pranishme në Ukrainë dhe derisa ata të kthejnë të gjithë territorin aktualisht nën kontrollin rus, përfshirë edhe Krimenë.

"Plani i tij i fitores", i zbuluar muajin e kaluar, përfshin këtë kërkesë si dhe një thirrje që Ukraina të bashkohet me NATO-n, të cilën Rusia e kundërshton. sa/

foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR