Trampi kërkon nga kryeprokurorja e shtetit të ndjek kundërshtarët e tij
- Presidenti amerikan, Donald Tramp i ka bërë thirrje prokurores së përgjithshme Pam Bondi, që të nisë hetime më agresive kundër kundërshtarëve të tij politikë.
- Post By Ramize Qamili
- 10:37, 22 shtator, 2025
Uashington, 22 shtator 2025 (MIA) - Presidenti amerikan, Donald Tramp i ka bërë thirrje prokurores së përgjithshme Pam Bondi, që të nisë hetime më agresive kundër kundërshtarëve të tij politikë.
"Nuk mund të vonohemi më shumë, po na shkatërron reputacionin dhe besueshmërinë", shkroi Trampi në një postim në rrjetet sociale, drejtuar drejtpërdrejt Bondit.
Trampi shprehu frustrim që "nuk po ndërmerret asgjë" dhe i bëri thirrje Bondit të hetojë ish drejtorin e FBI-së Xhejms Komi, prokuroren e përgjithshme të shtetit të Nju Jorkut, Leticia Xhejms dhe senatorin demokrat Adam Shif i cili udhëhoqi procesin e tij të parë të shkarkimit. Menjëherë pas kësaj, ai përsëri shpërndau një postim në të cilën lavdëronte Bondin, duke deklaruar se ajo "po bënte punë të shkëlqyer".
"Shqyrtova mbi 30 deklarata dhe publikime që në thelb thonë: e njëjta histori e vjetër si herën e fundit, gjithçka është thjesht një histori, asnjë veprim. Asgjë nuk po ndërmerret. Ç'farë është me Komin, Adamin Shif, Letician??? "Të gjithë janë fajtorë, por asgjë nuk po ndërmerret", theksoi Trampi të shtunën.
I pyetur për komentet e tij të dielën, ai përsëriti qëndrimin e tij: "Duhet të veprojnë. Patjetër të veprojnë më shpejt". Ai shtoi se beson që "Pam Bondi do të mbahet mend si një nga prokuroret e shtetit më të mira të të gjitha kohërave".
Deklarata e Trampit shkaktoi kritika të ashpra nga demokratët. Lideri i pakicës në Senat, Çak Shumer deklaroi se "kjo është rrugë drejt diktaturës".
"Ministria e Drejtësisë ka qenë gjithmonë shërbim civil shumë, shumë i fuqishëm, pa dallim se kush ishte në krye, demokrat apo republikan. Ata i ndoqën penalisht shkelësit e ligjit pa frikë apo favorizim", tha Shumer dje për Si-En-En. "Ai e kthen atë në një instrument i cili ndjek penalisht armiqtë e tij, pa dallim nëse janë fajtorë apo jo", shtoi ai, duke folur për presidentin.
Thirrja e presidentit të SHBA-së erdhi vetëm një ditë pasi prokurori federal Erik Sibert lëshoi detyrën e tij. Trampi më herët deklaroi se e donte dorëheqjen e Sibertit për shkak të dështimit të tij për të ndjekur penalisht prokuroren e shteti, Leticia Xhejms, për akuzat për mashtrim me hipotekat. rq/
Foto: EPA