• e martë, 17 mars 2026

Trampi eliminoi dy nga aleatët më të afërt të Pekinit për më pak se dy muaj

Trampi eliminoi dy nga aleatët më të afërt të Pekinit për më pak se dy muaj

2 mars 2026 

Si-En-En

Për më pak se dy muaj, administrata e presidentit amerikan Donald Tramp eliminoi dy nga aleatët më të afërt të Pekinit dhe me këtë e rrezikoi furnizimin me naftë të Kinës. 

Pasi forcat amerikane e arrestuan presidentin e Venezuelës NIkollas Maduro në janar, tani është vrarë lideri suprem i Iranit, Ali Hamnei. Këto dy aksione jo vetëm që e privuan Kinën nga partnerët e saj strategjikë në Amerikën e Jugut dhe Lindjen e Mesme, por ndikuan edhe në atë që është shumë më e rëndësishme për Pekinin – naftën, shkruan Si-En-En. 

Venezuela dhe Irani furnizojnë Kinën me pjesën më të madhe të naftës së saj të papërpunuar. Sipas të dhënave nga kompania analitike Kpler, më shumë se gjysma e eksportit të naftës së papërpunuar të Venezuelës dhe pothuajse i gjithë eksporti i Iranit ka gjasa të kenë përfunduar në Kinë vitin e kaluar. Dërgesat e tyre së bashku përbënin rreth 15 për qind të importit të përgjithshëm të naftës së Kinës, sipas llogaritjeve të CNN bazuar në të dhëna nga Qendra për Politika Globale të Energjisë në Universitetin e Kolumbias.

Kina si humbëse më e madhe 

Rob Tumel, portfolio menaxher në “Tortoiz Kapital”, beson se Kina ka mundësi të jetë humbëse e madhe në konfliktin në Iran sepse prodhon dukshëm më pak naftë se sa që shpenzon. 

“Çmimet më të larta mund të ndikojnë në rritjen ekonomike, por oferta fizike është edhe më e rëndësishme sepse Kina varet nga importi i naftës së papërpunuar që ta ruajë ekonominë e saj”, tha ai. 

Shefi i diplomacisë kineze, Vang Ji, e quajti sulmin e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit “të papranueshëm” dhe e dënoi “atentatin e dukshëm ndaj liderit sovran dhe nxitjen e ndryshimit të regjimit”. 

Megjithatë, Pekini ende nuk i publikoi pasojat e mundshme ekonomike. 

Krahas ndërprerjeje në furnizimin me naftë, Kina dhe ekonomitë e tjera aziatike përballen edhe me probleme të mundshme logjistike nëse qarkullimi përgjatë Ngushticës së Hormuzit – rrugë kyçe për dërgesë të naftës së papërpunuar nga vende si Arabia Saudite dhe Kuvajti – mbyllet ose dëmtohet. 

Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Mehr e Iranit raportoi se anija cisternë, e cila u godit të dielën pasi u përpoq të "kalonte pa autorizim nëpër Ngushticën e Hormuzit", po fundosej pasi pësoi dëme. Irani, i cili kontrollon anën veriore të ngushticës, më parë ka kërcënuar të bllokojë kalimin nëpër rrugët ujore gjatë një konflikti me SHBA-në. Analistët kanë paralajmëruar se mbyllja e Ngushticës së Hormuzit ose ndërprerjet e mëtejshme të transportit detar do të shkaktonin krizë të madhe globale energjetike.

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR