Trampi do të dënohet para inaugurimit të tij në rastin e ryshfetit për heshtje
- Gjyqtari i Nju Jorkut që kryeson çështjen e ryshfetit të presidentit të zgjedhur Donald Tramp për të heshtur, do ta dënojë Trampin dhjetë ditë para inaugurimit të tij.
- Post By Sara Ademi
- 10:39, 4 janar, 2025
Uashington, 4 janar 2025 (MIA) - Gjyqtari i Nju Jorkut që kryeson çështjen e ryshfetit të presidentit të zgjedhur Donald Tramp për të heshtur, do ta dënojë Trampin dhjetë ditë para inaugurimit të tij.
Gjyqtari Huan Merçan tha se Trampi, ish presidenti i parë që u dënua për një krim, mund të paraqitet personalisht ose virtualisht në dënimin e caktuar për më 10 janar.
Në një vendim prej 18 faqesh, Merçan hodhi poshtë kërkesa të ndryshme nga avokatët e Trampit për të hequr dënimin e tij.
Gjykatësi vuri në dukje se në vend të një dënimi me burg, ai është i prirur të urdhërojë një "lirim të pakushtëzuar" (që do të thotë se dënimi qëndron, por i pandehuri lirohet pa burg, gjobë ose kusht), që është një dënim shumë më i lehtë dhe do të lejonte Trampin për të hyrë në Shtëpinë e Bardhë, por si një kriminel i dënuar.
"Në këtë moment duket me vend të shprehet qëndrimi se gjykata nuk ka ndërmend të shqiptojë dënim me burg”, tha gjyqtari. Ai theksoi se as prokurorët nuk mendojnë se burgu është dënim i duhur.
Në maj të vitit të kaluar, në një gjykim në Nju Jork, Trampi u shpall fajtor për 34 akuza të falsifikimit të dokumenteve të biznesit për të fshehur pagesën e parave për Stormi Daniels, një aktore në filmat për të rritur, e cila u zhvillua para zgjedhjeve të vitit 2016, në mënyrë që të pengojë atë të zbulonte se kishte një marrëdhënie seksuale me Trampin në vitin 2006.
Avokatët e Trampit kanë kërkuar të ndërpresin rastin bazuar në një sërë argumentesh, duke përfshirë një vendim historik të Gjykatës Supreme të vitit të kaluar, që u dha ish presidentëve amerikanë imunitet të gjerë nga ndjekja penale për disa akte zyrtare të kryera gjatë kohës që ishin në detyrë. sa/