Tramp: Sistemi "Kupola e Artë" falas për Kanadanë nëse i bashkohet SHBA-së
- Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se Kanadaja mund t'i bashkohet mburojës së planifikuar mbrojtëse ajrore amerikane, e njohur si "Kupola e Artë", ose duke paguar 61 miliardë dollarë ose duke u bërë pjesë e SHBA-së.
- Post By Fami Bajrami
- 08:32, 28 maj, 2025
Uashington, 28 maj 2025 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se Kanadaja mund t'i bashkohet mburojës së planifikuar mbrojtëse ajrore amerikane, e njohur si "Kupola e Artë", ose duke paguar 61 miliardë dollarë ose duke u bërë pjesë e SHBA-së.
"I thashë Kanadasë, e cila dëshiron shumë të jetë pjesë e sistemit tonë të mrekullueshëm 'Kupola e Artë', se do t'i kushtonte 61 miliardë dollarë nëse mbeten komb i ndarë, por i pabarabartë, por do t'i kushtonte ZERO DOLLARË nëse behën shteti ynë i dashur i 51-të. Ata po shqyrtojnë ofertën!, ka shkruar Trampi në rrjetin e tij social "Truth Social".
Komentet e tij erdhën pasi kryeministri i Kanadasë, Mark Karni deklaroi për Si-Bi-Si se ai dëshiron t'i bashkohet inciativës së madhe evropiane mbrojtëse deri më 1 korrik, hap që synon të reduktojë varësinë e vendit nga SHBA-ja për armë dhe municione.
Karni ka hedhur poshtë vazhdimisht përpjekjet e Trampit për ta bërë Kanadanë shtetin e 51-të. Në një takim të fundit me Trampin në Dhomën Ovale, Karni tha: "Kanadaja nuk është në shitje".
Javën e kaluar, Trampi publikoi më shumë hollësira rreth projektit me vlerë prej 175 miliardë dollarësh, duke thënë se ai do të jetë operativ para përfundimit të mandatit të tij në vitin 2029 dhe do të jetë në gjendje të shkatërrojë dronët dhe raketat nga kudo në botë, madje edhe nga hapësira.
Trampi prezantoi inciativën "Kupola e Artë" menjëherë pas marrjes së funksionit në janar. Sistemi është modeluar sipas "Kupolës së Hekurt" të Izraelit, por do të përshtatet me kushtet në SHBA dhe do të integrohet me infrastrukturën ekzistuese të mbrojtjes. rq/bsh/
Foto: arkivi i MIA-s