Tramp dëshiron t'i japë fund luftës në Ukrainë dhe Rripin e Gazës
- Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Tramp në një intervistë për "Tajm" (Time) kritikoi Ukrainën për shkak të përdorimit të raketave amerikane me rreze të gjatë veprimi në territorin e Rusisë.
- Post By Sara Ademi
- 17:51, 12 dhjetor, 2024
Uashington, 12 dhjetor 2024 (MIA) - Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Tramp në një intervistë për "Tajm" (Time) kritikoi Ukrainën për shkak të përdorimit të raketave amerikane me rreze të gjatë veprimi në territorin e Rusisë.
"Kjo që po ndodh është çmenduri. Kjo është çmenduri. Kategorikisht nuk pajtohem me dërgimin e raketave qindra kilometra në Rusi. Pse e bëjmë këtë? Ne vetëm po përshkallëzojmë luftën dhe e përkeqësojmë. Kjo nuk duhej të lejohet", theksoi Tramp në një intervistë të publikuar në ditën kur ishte shpallur personi i vitit nga magazina "Tajm".
Trampi, i pyetur nëse do ta braktiste Ukrainën, theksoi se do ta përdorë ndihmën amerikane për Kievin si mjet kundër Rusisë në negociatat për t'i dhënë fund luftës.
"Dua të arrij marrëveshje", theksoi Tramp, duke shtuar se "mënyra e vetme në të cilën mund të arrihet marrëveshje është të mos braktiset (Ukraina)".
Gjatë fushatës, Tramp disa herë tha se nëse zgjidhet, në afat prej 24 orësh do të arrijë marrëveshje paqësore ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës. Më vonë pranoi se është më e komplikuar se sa që ka menduar.
Ai në intervistën për "Tajm" tha edhe se dëshiron t'i japë fund luftës në Rripin e Gazës dhe se këtë e di edhe kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Tramp theksoi se për këtë qëndrim të tij e ka njoftuar Netanjahun në bisedë telefonike gjatë fushatës presidenciale. Por, në pyetjen nëse i beson Netanjahut, presidenti i sapozgjedhur amerikan theksoi se "nuk i beson askujt". sa/
foto: Tajm