• e premte, 27 dhjetor 2024

Tentativa për grusht shtet ushtarak në Bolivi përfundoi me arrestimin e organizatorit të saj

Tentativa për grusht shtet ushtarak në Bolivi përfundoi me arrestimin e organizatorit të saj

Sukre, 27 qershor 2024 (MIA) - Tentativa për grusht shtet ushtarak në Bolivi përfundoi me arrestimin e organizatorit të saj, gjeneralit Huan Hoze Zuniga, ndërsa njësitë ushtarake që ai dërgoi kundër pallatit presidencial në kryeqytetin La Paz u tërhoqën nga sheshi qendror Murillo.

Presidenti i vendit të Amerikës së Jugut, Luis Arse, dënoi "përpjekjen për grusht shtet" dhe bëri thirrje për mbështetje ndërkombëtare.

Mbrëmë njësitet ushtarake të drejtuara nga gjenerali Zuniga, i cili ndërkohë u hoq nga posti i komandantit të ushtrisë boliviane, u mblodhën në sheshin Murillo, ku ndodhet rezidenca e kreut të shtetit.

“Sot vendi po përballet me një përpjekje për grusht shteti. Sot, edhe një herë, vendi përballet me interesa që janë mbi demokracinë. Populli bolivian është thirrur për veprim sot. Ne kemi nevojë që bolivianët të organizohen dhe të mobilizohen kundër grushtit shtetit në shërbim të demokracisë”, tha Arse.

Disa orë më vonë, ushtria u tërhoq nga sheshi Murillo dhe policia vendosi kontrollin e plotë të situatës. Autoritetet boliviane e arrestuan Zuniga dhe e çuan në një vend të panjohur.

Në atë kohë, Presidenti Arse e emëroi Hoze Vilson Sançesin si Komandant të Përgjithshëm të Ushtrisë Boliviane në vend të Zuniga. Ai bëri thirrje për qetësi dhe rregull.

SHBA-ja tha se po monitoronte nga afër situatën dhe bëri thirrje për qetësi dhe jo dhunë.

Tensionet po rriten në Bolivi përpara zgjedhjeve kombëtare vitin e ardhshëm, ndërsa ish presidenti i së Majtës Evo Morales do të kandidohet kunëdr ish aleatit Arse.

“Bashkimi Evropian qëndron pas demokracive. Ne shprehim mbështetjen tonë të fortë për rendin kushtetues dhe sundimin e ligjit në Bolivi”, deklaroi kryetari i Këshillit Evropian, Sharll Mishell.

Të njëjtin qëndrim e shprehu edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë, Zhozep Borell. ls/ 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR