• e enjte, 26 dhjetor 2024

Tensione brenda dhe jashtë Parlamentit të Shqipërisë dhe protestë e opozitës

Tensione brenda dhe jashtë Parlamentit të Shqipërisë dhe protestë e opozitës

Tiranë, 5 shkurt 2024 (MIA) – Vazhdojnë tensionet në Shtëpinë ligjvënëse të Shqipërisë. Edhe seanca e sotme plenare u shndërrua në kaos, pasi deputetët demokratë mbështetës të Berishës dhe grupit të Bardhit hynë me forcë në Kuvend, mes tyre edhe 19 deputetë që janë suspenduar shkaku i rrëmujës në parlament.

Gazment Bardhi, Asllan Dogjani dhe Flamur Noka kaluan kordonin e Gardës kombëtare në hyrje të parlamentit dhe arritën të afrohen pranë foltores ku po përgatiteshin të flisnin deputetët e shumicës.

Pasi hyrjes në sallë, Bardhi u drejtua nga foltorja drejt kolltukëve ku janë përfaqësuesit e qeverisë duke i bërtitur “kush je ti” kryeministrit Edi Rama duke hedhur xhaketën drejt tij. Menjëherë ka ndërhyrë sigurimi duke bllokuar foltoren për të mos lejuar kalimin e tyre.

Deputetët e shumicës u përpoqën të vazhdonin normalisht seancën, por deputetët e opozitës e vlerësuan këtë si provokim.

"Turp për ju që shqetësoni kolegët tuaj. Ju që jeni të përjashtuar dhe nuk i lejoni kolegët të vazhdojnë normalisht seancën. Turp për ju, turp. Ju lutem, jemi në seancë për të diskutuar për problemet e votuesve", tha kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla ku deputetët e opozitës iu përgjigjën me fjalë fyese.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla e nisi seancën pak minuta përpara se të futeshin brenda deputetët e opozitës, duke i dhënë mundësi Petro Koçit dhe Etjen Xhafajt të mbanin fjalimet e tyre, pas disa seancash kur nuk kishte asnjë fjalim në Kuvend.

Me futjen e deputetëve të opozitës në sallë, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla priti deri në përfundim të fjalës së deputetit Xhafaj për të njoftuar përfundimin e seancës duke akuzuar opozitën se nuk po mendon për hallet e qytetarëve.

Para parlamentit, opozita përfshirë edhe Partinë e Lirisë së Ilir Metës ka mbajtur protestë, ku janë hedhur edhe bomba tymi.

Sekretari i përgjithshëm i krahut të PD-së së Sali Berishës, Flamur Noka në protestë madje deklaroi se sot “organizata kriminale mori mesazhin më të fortë nga qytetarët”.

Foto: parlament/ printskrin

 

QËNDRONI TË LIDHUR