• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Tedros: Spitali Al Amal në Gazë u sulmua 40 herë gjatë një muaji

Tedros: Spitali Al Amal në Gazë u sulmua 40 herë gjatë një muaji

Gazë, 27 shkurt 2024 (MIA) - Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) Tedros Gebrejesus deklaroi sot se spitali Al Amal në Gazë është sulmuar 40 herë gjatë një muaji.

“Nga 22 janari deri më 22 shkurt spitali është sulmuar 40 herë. Të paktën 25 persona kanë vdekur”, ka shkruar Tedros në rrjetin social X.

Ai shtoi se në spital janë ende 31 pacientë.

Tedros tha se përfaqësues nga OBSH-ja, Kombet e Bashkuara dhe Gjysmëhëna e Kuqe palestineze arritën në spitalin e rrethuar Al Amal gjatë fundjavës ku janë transferuar 24 pacientë përfshirë një grua shtatzënë, një nënë dhe një të porsalindur.

“Infermierët e Gjysmëhënës së Kuqe palestineze u keqtrajtuan dhe u poshtëruan, ndërsa u larguan nga spitali Al Amal. Tre ndihmës infermierë u arrestuan. Njëri u lirua. Apelojmë që urgjentisht të lirohen edhe dy të tjerët dhe të gjithë punonjësit e tjerë shëndetësorë të arrestuar”, tha Tedros.

Ai theksoi se situatat e tilla përsëriten dhe komplikojnë më tej dërgimin e ndihmave.

“I bëjmë thirrje Izraelit që të sigurojë kalim të përhershëm, të sigurt dhe dinjitoz për misionet humanitare. Apelojmë për ndërprerje të zjarrit”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së.

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR