Taravari: Pres bashkëpunim nga partitë tjera dhe negociatat të fillojnë në vitin 2025
- Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari është optimist për fillimin e negociatave me BE-në dhe pret mbështetje edhe nga opozita. Pas vizitës së sotme në Spitalin e përgjithshëm në Gostivar, ai theksoi se shumica qeveritare është e orientuar pro-Evropës.
- Post By Fami Bajrami
- 13:07, 27 dhjetor, 2024
Gostivar, 27 dhjetor 2024 (MIA) – Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari është optimist për fillimin e negociatave me BE-në dhe pret mbështetje edhe nga opozita. Pas vizitës së sotme në Spitalin e përgjithshëm në Gostivar, ai theksoi se shumica qeveritare është e orientuar pro-Evropës.
"Jam optimist se do të kemi bashkëpunim të ndërsjellë dhe e di që shumica qeverisëse është e orientuar pro Evropës. Kjo më siguron se së shpejti do të fillohet me proceset eurointegurse", është përgjigjur Taravari në pyetjen e gazetarëve për pritjet e subjekteve të tjera politike për mbështetje në procesin e ndryshimeve kushtetuese dhe eurointegrimet e vendit, pas kumtesës së fundit nga koalicioni VLEN për ndryshimet kushtetuese.
Taravari pret mbështetje nga opozita dhe ka besim se të gjitha partitë shqiptare i mbështesin ndryshimet kushtetuese dhe se asnjëra prej tyre nuk do të votonte kundër.
"Nëse dikush voton kundër, atëherë ky do të jetë një paradoks. Z. Ahmeti nga viti 2002 i paralajmëron ato negociata me BE-në për më shumë se dy dekada. Megjithatë, mendoj se vitin e ardhshëm 2025 do të fillojmë negociatat me BE-në", ka thënë Taravari.
Ai theksoi se udhëheqësia aktuale shtetërore është e fokusuar në integrimet evropiane.
"Gëzon fakti në atë që dëgjova në fjalimin e presidentes në Kuvend se Maqedonia nuk ka rrugë tjetër përveç asaj evropiane dhe të njëjtën gjë e përsërit edhe kryeministri. Mendoj se kryeministri ka të drejtë kur kërkon një lloj garancie nga Uashingtoni, Brukseli dhe Sofja se ky do të jetë kushtëzimi i fundit. Që të mos na ndodhë si në vitin 2018 kur katër-pesë ministra u fotografuan në aeroplan dhe paralajmëruan fillimin e negociatave, por u krijuan komplikime", theksoi Taravari.
Foto: MIA