• e enjte, 17 tetor 2024

Taravari: Për ligjin për përfaqësimin e drejtë do të angazhojmë sërish ekspertë me “sens” për këtë punë

Taravari: Për ligjin për përfaqësimin e drejtë do të angazhojmë sërish ekspertë me “sens” për këtë punë

Shkup, 17 tetor 2024 (MIA) - Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në konferencë për shtyp, sot sqaroi se nga ana e tyre ka pasur një propozim-ligj për përfaqësim të drejtë. Tani shumica qeveritare duhej të koordinohej dhe më pas produkti do të plasohet në publik.

"Propozim-ligj nga ana jonë ka pasur. Mirëpo, ne në Qeveri jemi koalicion i tre koalicioneve: ZNAM, VMRO me të gjitha partitë dhe ne si Vlen. Tani duhet të ulemi dhe të sinkronizojmë mes vete, të bëjmë një produkt të përbashkët dhe ta nxjerrim në publik edhe për debat publik edhe për Parlament. Për këtë do të angazhojmë sërish ekspertë që kanë “sens” për këtë punë”, ka theksuar Taravari.

I pyetur për kritikat se ligji është bërë në mënyrë jo transparente, ai është përgjigjur se ndryshe nga periudha e kaluar, kur ligjet miratoheshin “me nxitim”, tani nuk do të jetë kështu.

"Ndryshe nga periudha e kaluar, kur ligjet kaluan shpejt, tani nuk do të kalojë kështu, por po ju them, ne kemi përgatitur diçka, tani do të ulemi shumica qeveritare të koordinohet dhe pastaj do të hapim një debat publik dhe natyrisht, do të jetë i disponueshëm për të gjithë, për mediat dhe për publikun dhe ne nuk planifikojmë këtë ta kalojmë brenda një ose dy javësh. Megjithatë, në një periudhë të arsyeshme, mendoj se duhet të hapim një debat publik dhe këtë do ta bëjmë me siguri", nënvizoi Taravari.

Në lidhje me atë se çfarë ka ligji për përfaqësimin e drejtë, si do të rregullohet, ministri për momentin nuk ka dhënë një përgjigje konkrete.

"Lejoni që produkti të sinkronizohet mes nesh dhe më pas do ta lëshojmë për ju dhe për të gjithë, si dhe për qytetarët, në mënyrë që të jetë transparent dhe më pas do të hapim një debat publik midis ekspertëve dhe gjithashtu midis partive politike", theksoi ministri. ls/

Foto dhe video: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR