• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Takim Blinken - Abas në Ramallah

Takim Blinken - Abas në Ramallah

Ramallah, 30 nëntor 2023 (MIA) - Sekretari amerikan i Shtetit Entoni Blinken u takua sot në Ramallah me presidentin palestinez Mahmud Abas, me të cilin diskutuan për "nevojën urgjente për masa për të përmirësuar sigurinë dhe lirinë e palestinezëve në Bregun Perëndimor".

Blinken theksoi gjithashtu përpjekjet amerikane për të përshpejtuar dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza dhe dënoi dhunën nga kolonët izraelitë kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor, e cila është rritur ndjeshëm që nga shpërthimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit. Blinken i tha Abasit se SHBA "do të vazhdojë të insistojnë në përgjegjësinë e plotë për ata që janë përgjegjës", kumtoi Departamenti i Shtetit.

"Sekretari përsëriti se SHBA mbetet e përkushtuara për avancimin e hapave të prekshëm drejt shtetit palestinez", shtohet në kumtesë.

Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve Vafa, Abas theksoi nevojën për të arritur një armëpushim të përhershëm në Gaza, për të kursyer civilët nga bombardimet dhe për të rritur fluksin e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës.

Abas gjithashtu thuhet se i dorëzoi Blinkenit "një dosje gjithëpërfshirëse që dokumenton krimet e okupimit izraelit në Gaza dhe Bregun Perëndimor, duke përfshirë Jerusalemin", komenton Vafa. Ai i bëri thirrje Blinkenit që t'i bëjë presion qeverisë izraelite që të ndalojë "masat represive" që pretendohet se po kryhen kundër të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite dhe t'i japë fund dëbimit të palestinezëve në Bregun Perëndimor, veçanërisht në Luginën e Jordanit.

Presidenti palestinez përsëriti angazhimin e liderëve palestinezë për të marrë përgjegjësinë për popullin e Gazës, duke këmbëngulur se enklava bregdetare bie nën juridiksionin e "Shtetit të Palestinës". Ai gjithashtu bëri thirrje për krijimin e një shteti palestinez në Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor dhe Gaza, me anëtarësim të plotë në KB. sa/

Foto: Departamenti i shtetit

QËNDRONI TË LIDHUR