• e enjte, 26 dhjetor 2024

Takim Vjosa Osmani-Eskobar: SHBA-ja është pranë Kosovës në çdo sfidë

Takim Vjosa Osmani-Eskobar: SHBA-ja është pranë Kosovës në çdo sfidë

Prishtinë, 13 mars 2024 (MIA) - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabirel Eskobar ka deklaruar se bashkëpunimi me aleatët, e veçanërisht me SHBA-në duhet të jetë bosht i veprimeve të institucioneve.

“Sapo e përfunduam një takim përmbajtësor në të cilin diskutuam për zhvillimet e fundit në vendin tonë dhe proceset e rëndësishme në të cilat po kalon Republika e Kosovës. Përgjatë  çdo faze e sfide SHBA-të kanë qëndruar përkrah Kosovës, për  çka populli i Kosovës do të jetë mirënjohës. Prandaj, bashkëpunimi me aleatët tanë, veçanërisht me SHBA-të duhet të jetë bosht i veprimeve tona. Puna jonë e përbashkët me SHBA-të ka qenë dhe mbetet jetike në Republikën e Kosovës”, ka theksuar Osmani.

Ajo tutje ka thënë se bashkëpunimi me aleatët është si në përpjekjet e pakompromis për të siguruar sundim të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës, ashtu edhe për fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, veçanërisht sa i përket integrimeve në institucionet veriatlantike.

“Prandaj bashkëpunimi me aleatët jo vetëm se është i dobishëm por edhe i domosdoshëm”, ka thënë presidentja Osmani.

Sa i përket procesit të dialogut me Serbinë, për të cilin presidentja tha se janë thellësisht të përkushtuar, ka potencuar se suksesi i këtij procesi varet edhe nga qasja parimore dhe e barabartë të Bashkimit Evropian ndaj palëve.

“Është kruciale të ketë zbatim të plotë të marrëveshjeve të dakorduara vitin e kaluar, veçanërisht Marrëveshjes Bazike të shkurtit 2023 dhe aneksit të Ohrit të marsit 2023. Prandaj, qasja selektive vetëm e neneve të caktuara të Marrëveshjes Bazike nuk do të ndihmojë sepse të gjitha nenet kanë rëndësi, prandaj edhe zbatimi duhet të jetë i plotë dhe jo i pjesshëm”, ka deklaruar Osmani.

Presidentja ka shtuar se angazhimi dhe roli i SHBA-së mbetet kyç për përmbyllje të suksesshme të procesit të dialogut, e cila do të dërgonte në njohje të ndërsjellë.

Ajo ka falënderuar partnerët, veçanërisht SHBA-të, për konfirmimin se rendi kushtetues dhe integriteti territorial e funksionaliteti shtetëror do të mbrohen përherë.

“Edhe procesi i largimit të katër kryetarëve të komunave në veri është duke u realizuar konform procedurave të vendosura me ligj dhe me udhëzim administrativ, në mënyrë që qytetarët e komunave të veriut të mund ta realizojnë të drejtën e tyre të garantuar në ligjin për vetqeverisje lokale”, ka thënë ajo.

Presidentja Osmani ka thënë se pret që në partneritet me aleatët të rregullohet edhe  çështja e Rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës sa i përket ndalimit të dinarit.

“Zbatimi i qëndrueshëm dhe efikas i kësaj rregulloreje është i mundshëm në bashkëpunim të plotë dhe me mbështetjen e aleatëve tanë. Ata janë pro zbatimit të Kushtetutës, siç e kanë thënë çdo herë dhe në favor të një plani tranzicional të qëndrueshëm, prandaj besoj se edhe  çështja e kësaj rregulloreje do të ecë përpara me një zgjidhje të përbashkët dhe në interes të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka nënvizuar Osmani.

Në fillim të fjalimit të tij para gazetarëve, Eskobar i dha mirënjohje presidentes Osmani për rolin e saj në zhvillimin e raporteve mes dy vendeve.

Ai gjithashtu pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me Manastirin e Deçanit.

“Është shumë i rëndësishëm vendimi i sotshëm për Manastirin. Ishte hap i vështirë, por i domosdoshëm. I falënderojmë institucionet e Kosovës për këtë hap”, ka thënë i dërguari i SHBA-së.

Tutje në deklaratën e tij para mediave, Eskobar ka ftuar Serbinë që të japin llogari për sulmin terrorist të 24 shtatorit.

“E ftojmë Serbinë që të gjithë ata që janë përgjegjës të dalin para drejtësisë dhe të japin llogari të plotë për atë sulm”, ka thënë ai, duke shprehur shqetësimin e tij.

Ai ka thënë se do të ketë takime të ndryshme gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, duke përmendur se rregullorja e re e BQK-së është një nga temat të cilat do t’i diskutojë.

“Ditët e ardhshme do t’i kalojë duke vizituar vendin tuaj, të takohem me njerëzit sepse ka shumë punë për të diskutuar, sfidat nëpër të cilat po kalojmë tani, duke përfshirë vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës, për të gjetur mënyra se si mund të ecim para me dialogun, që përfshin Asociacionin por jo vetëm atë”, ka theksuar Eskobar. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR