• e shtunë, 23 nëntor 2024

Takim Kurti - Lajçak kushtuar dinarit, "Banjskës" dhe normalizimit të marrëdhënieve

Takim Kurti - Lajçak kushtuar dinarit,

Prishtinë, 30 janar 2024 (MIA) - I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për vendimin e Kosovës për ta ndaluar përdorimin e dinarit në pagesat me para të gatshme në vend.

Banka Qendrore e Kosovës e nxori një rregullore të re javë më parë, e cila kërkon që të gjitha pagesat me para të gatshme kudo në Kosovë të bëhen vetëm me euro duke nisur nga 1 shkurti, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb në vend.

I pyetur nëse bisedoi me Kurtin për shtyrjen e vendimit të BQK-së, Lajçak tha se e kanë përmendur këtë çështje të vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, por nuk dëshiron të veprojë si zëvendës i Qeverisë kosovare, por tha se do të informon nesër, njofton Radio Evropa e Lirë.

Në konferencë për media pas takimit në Prishtinë, Lajçak tha se u diskutua edhe për sulmin e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i serbëve të armatosur në fshatin Banjskë në veri të vendit.

Sulmi në Banjskë, ku u vranë një polic dhe tre sulmues, u diskutua edhe gjatë takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, një ditë më parë në Beograd, theksoi ai.

"Sulmi në Banjskë diskutohet çdo herë në çdo takim që kur ka ndodhur”, tha Lajçak.

Ai tha se BE-ja pret që të përfshirët në sulmin në Banjskë të mbahen përgjegjës.

“Publiku evropian dhe shtetet anëtare të BE-së presin që të përfshirët të mbahen përgjegjës. Sa i përket hetimit, nuk jam unë personi i duhur për të folur se nuk ka hetim që udhëhiqhet nga BE-ja, por janë vendet individuale që kanë hetuar apo po e hetojnë. Ne po marrim të dhënat nga shtetet anëtare dhe partnerët evropianë”.

Lajçak gjatë takimit e përmendi mungesën e përparimit në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, pavarësisht se vendet fqinje ishin pajtuar për një gjë të tillë në fillim të vitit të kaluar.

Ato e arritën Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në shkurt 2023 dhe Aneksit për zbatimin e saj një muaj më vonë të atij viti, por kanë dështuar t’i zbatojnë ato, pavarësisht trysnisë ndërkombëtare.

Lajçak u bëri thirrje të dyja vendeve ta bëjnë një gjë të tillë menjëherë.

“Nuk Ka pasur pak përparim në pikëpamje me të gjerë, në normalizimin e marrëdhënieve. E kemi marrëveshjen nga shkurti dhe marsi i vitit të kaluar, kjo nënkupton se nuk kemi nevojë të pyesin çfarë duhet të bëhet e as ta pyesim veten si ta bëjmë këtë, pyeta është kur ta bëjmë. Unë them që menjëherë”, tha Lajçak. bsh/

Foto: Arkiv

QËNDRONI TË LIDHUR