Takim i ministrit Hoxha me delegacionin e OEMVP-së, në fokus propozimet për përmirësimin e procedurave dhe mbështetje të investimeve të gjelbra
- - Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, realizoi sot takim pune me një delegacion nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) të kryesuar nga u.d. kryetar Nuhi Aliu.
- Post By Fitore Curri
- 17:30, 15 janar, 2026
Shkup, 15 janar 2026 (MIA) - Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, realizoi sot takim pune me një delegacion nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) të kryesuar nga u.d. kryetar Nuhi Aliu.
Siç bëri të ditur Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, gjatë takimit, anëtarët e odës uruan ministrin Hoxha për detyrën e re dhe u dakordua që palët të thellojnë bashkëpunimin institucional dhe shkëmbimin e ideve mbi çështje me interes të përbashkët.

"Në takim u diskutuan tema që lidhen me zbatimin e standardeve mjedisore, planifikimin hapësinor, menaxhimin e mbeturinave, efikasitetin energjetik, si dhe ndikimin e politikave mjedisore në zhvillimin ekonomik dhe klimën e biznesit në rajonin që vepron OEMVP-ja", bën të ditur MMJPH.
Ministri Hoxha theksoi se Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor e konsideron komunitetin e biznesit si partner të rëndësishëm në ndërtimin e një zhvillimi të qëndrueshëm dhe në harmonizimin e politikave mjedisore me nevojat reale të ekonomisë. Ai nënvizoi rëndësinë e dialogut të hapur dhe komunikimit të vazhdueshëm për gjetjen e zgjidhjeve praktike dhe të balancuara.

"Përfaqësuesit e OEMVP shprehën gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm, duke paraqitur sfidat me të cilat përballen bizneset, si dhe propozime konkrete për përmirësimin e procedurave dhe mbështetjen e investimeve të gjelbra", bëhet e ditur në kumtesë. fc/
Foto: Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor