• e shtunë, 23 nëntor 2024

Takim i Ligës arabe në Kajro: Duhet ta ndalim luftën në Gazë

Takim i Ligës arabe në Kajro: Duhet ta ndalim luftën në Gazë

Kajro, 10 shtator 2024 (MIA) - Në Kajro, kryeqytetin e Egjptit, filloi takimi i ministrave të Ligës Arabe, në të cilin do të bisedohet për ofensivën izraelite në Rripin e Gazës, informon Anadollia.

Sekretari i përgjithshëm i Ligës arabe, Ahmed Abul Geit, në fjalimin para të pranishmëve bëri thirrje për ndërprerje të sulmit izraelit ndaj enklavës palestineze. 

“Nuk ka zgjidhje tjetër përveç se të ndalet kjo luftë”, shtoi Geit. 

Në takimin, me të cilin kryeson Jemeni, marrin pjesë ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE) për punët e jashtme dhe sigurinë Zhozep Borrel, shefi i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinë (UNRWA), Filip Lazarini dhe koordinatorja e lartë e KB-së për Çështjet Humanitare dhe Ndihma dhe Rindërtimi për Gazën, Sigrid Kaag.

Në takim do të bisedohet për mënyrën e dhënies fund të sulmeve izraelite në Gazë dhe Bregun Perëndimor, si dhe për masa diplomatike dhe juridike për ndërprerjen e politikës agresive izraelite të drejtuar drejt zhvendosjes së palestinezëve nga vendi i tyre. 

Pjesëmarrësit do të bisedojnë edhe për situatën në disa vende arabe si Libia, Jemeni, Sudani dhe Somalia dhe sigurinë e navigacionit dhe furnizimit me energji në rajonin e Gjirit Persik.

Të paktën 32 palestinezë u vranë gjatë ditës së kaluar në sulmet izraelite në Rripin e Gazës, me çka numri i përgjithshëm i të vrarëve nga 7 tetori i vitit të kaluar u rrit në 41.020, njoftoi sot Ministria e Shëndetësisë në Gazë.

Në kumtesën e Ministrisë shtohet se deri më tani në sulmet izraelite janë lënduar 94.925 persona. 

Shumë pjesë të Gazës janë nën rrënoja, ndërsa është bllokuar edhe dërgesa e ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. 

Izraeli ishte akuzuar për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR