• e enjte, 26 dhjetor 2024

Takim Erdogan - Abas në Ankara

Takim Erdogan - Abas në Ankara

 Ankara, 25 korrik 2023 (MIA) - Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan sot në Ankara u takua me presidentin palestinez Mahmud Abas, pas së cilës deklaroi se shteti i pavarur palestinez me kryeqytet Al Kudsin Lindor (Jerusalemin) është çelësi i paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin.

Siç raporton Anadollu, Erdogani sot priti në Ankara me nderime më të larta shtetërore presidentin palestinez Mahmud Abasin, ndërsa pas takimit me dyer të mbyllura u mbajt një konferencë e përbashkët për shtyp. 

Erdogani nënvizoi se "vendi i tij do të vazhdojë t'i japë çdo mbështetje Palestinës". 

 “Turqia do të vazhdojë ta mbështesë Palestinën në mënyrën më të fuqishme të mundshme dhe do të bëjë më të mirën për mirëqenien e palestinezëve... Është e rëndësishme që bashkësia ndërkombëtare dhe veçanërisht Kombet e Bashkuara, të përfshihen në çështjen palestineze”, tha Erdogani.

Ai theksoi se Turqia nuk mund të pranojë veprime që synojnë ndryshimin e status quo-së historike të vendeve të shenjta, veçanërisht kur bëhet fjalë për xhaminë Al-Aksa. 

Erdogani e përsëriti qëndrimin e Turqisë për mbështetje të një shteti të pavarur palestinez. 

 “Krijimi i një shteti të pavarur palestinez me Al-Kudsin Lindor si kryeqytet në kufijtë e vitit 1967, bazuar në parametrat e KB-së, është me rëndësi kyçe për paqen dhe stabilitetin e gjithë rajonit tonë”, tha Erdogani.

Presidenti palestinez Mahmud Abasi falënderoi Erdoganin, shtetin turk dhe popullin turk për mbështetjen e luftës palestineze. 

"Mbështetja e Turqisë për pavarësinë e popullit palestinez,  të cilën e siguron me mbrojtjen e Al Kudsit, është shumë e rëndësish,e për ne", tha Abasi. 

Foto: Anadollu 

QËNDRONI TË LIDHUR