• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Tahiri: Kurti me kërkesat ndaj BE-së lidhur me Asociacionin tregon se është amator dhe mashtrues klasik

Tahiri: Kurti me kërkesat ndaj BE-së lidhur me Asociacionin tregon se është amator dhe mashtrues klasik

Prishtinë, 6 qershor 2024 (MIA)  - Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri thotë se kryeministri Albin Kurti, me kërkesën e tij që Brukseli ta dërgojë në Komisionin e Venecias draftin e Bashkimit Evropian për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, tregoi se është amator dhe mashtrues klasik, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. 

Duke e komentuar kërkesën e Kurtit që ndërmjetësuesi i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit për vlerësim në Komision të Venecias, Tahiri ka thënë se kryeministri po kërkon nga "Lajçaku e BE-ja që të shërbejnë si zëdhënës të Qeverisë së tij". 

"Kryeministri Kurti në kërkim të një rrugëdalje nga qorrsokaku ku ka hyrë vetë dhe ku e ka futur Kosovën me temën e draftit të Asociacionit, me pasoja lënien e vendit në paradhomë të pritjes për anëtarësim në Këshillin e Evropës, po kërkon që BE-ja dhe Lajçaku të shërbejnë si zëdhënës të qeverisë së tij, duke sugjeruar që ata mund ta qojnë draftin në Komisionin e Venecias. Ky është amatorizëm dhe mashtrim klasik", ka shkruar Tahiri në Fejsbuk.

Sipas shefit të deputetëve të partisë së ish kryeministrit Ramush Haradinaj, Kurti përfaqëson "një zero të madhe në lidership".

"Kurti duhet ta dijë që në emër të Republikës së Kosovës, asnjë palë e tretë nuk mund dhe nuk ka mandat të dërgojë akte për shqyrtim. Por ajo që fshihet prapa rreshtave është që Kurti përmes përdorimit të emrit të BE-së në raport me Venecia, po paralajmëron që do të ketë një draft i cili mund të përfundojë në këtë Komision. Pse nuk e pyet veten ky njeri, deri kur dhe deri ku do të vazhdojë të qeverisë pa asnjë guxim që kërkon pozita ku është ulur. Thjesht, ky njeri përfaqëson një zero të madhe në lidership", ka shtuar Tahiri. fc/
 

QËNDRONI TË LIDHUR