• e mërkurë, 02 prill 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Tërmeti në Mjanmar lëshoi energji të barabartë me 334 bomba atomike

Tërmeti në Mjanmar lëshoi energji të barabartë me 334 bomba atomike

Uashington, 29 mars 2025 (MIA) - Tërmeti me magnitudë prej 7.7 ballë që goditi Mjanmarin dje, lëshoi ​​energji ekuivalente me 334 bomba atomike, tha për Si-En-En gjeologia Xhes Feniks.

Ajo shtoi se pasgoditjet mund të zgjasin me muaj pasi pllaka tektonike indiane vazhdon të zbresë nën pllakën euroaziatike në rajonin e Mjanmarit.

Mjanmari u godit dje nga një tërmet i madh me magnitudë prej 7.7 ballë të shkallës Rihter, me epiqendër afër qytetit Mandalaj, në një thellësi prej rreth 20 kilometrash. Tërmeti i madh u ndje edhe në Tajlandë dhe vende të tjera aziatike. Pak minuta më vonë ka ndodhur një tërmet i dytë me intensitet prej 6.4 ballë.

Tërmeti gjithashtu shembi një ndërtesë në ndërtim në kryeqytetin e Tajlandës, duke vrarë gjashtë persona dhe duke lënë 50 të bllokuar ende nën rrënojat e ndërtesës, ndërsa rreth njëqind njerëz janë të zhdukur.

Paraprakisht, mediat shtetërore të Mjanmarit raportuan se numri i të vdekurve ishte rritur në 1,002, ndërsa 2,376 janë të plagosur dhe 30 të zhdukur.

"Janë dëmtuar objektet infrastrukturore si rrugë, ura dhe ndërtesa, që rezultoi me viktima civilë dhe të lënduar. Në vijim janë operacionet për kërkim dhe shpëtim në zonat e goditura, citohet në kumtesën e juntës.

Udhëheqësi i juntës Min Aung Hlaing urdhëroi përpjekje të menjëhershme shpëtimi në zonat e prekura. Dje ai ftoi "çdo vend" për të ofruar ndihma dhe donacione.

Ekipi kinez i shpëtimit mbërriti sot në Mjanmar, ndërsa Rusia dhe SHBA-ja ofruan ndihmë në katastrofën, që dëmtoi qindra ndërtesa në Tajlandën fqinje, ndërsa Rusia, India, Malajzia dhe Singapori dërguan aeroplanë me ndihmë humanitare dhe ekipe shpëtimi në Mjanmar, një vend i shkatërruar nga lufta civile pas një grushti ushtarak të vitit 2021 që rrëzoi qeverinë e zgjedhur civile.

Koreja e Jugut njoftoi se do të sigurojë ndihmën fillestare humanitare prej dy milionë dollarësh për Mjanmarin përmes organizatave ndërkombëtare.

Blloku i vendeve të Azisë Juglindore, ASEAN, kumtoi sot se njeh nevojën urgjente për ndihmë humanitare për Mjanmarin pas tërmetit të madh dhe është i gatshëm të mbështesë përpjekjet e rimëkëmbjes.

Edhe SHBA, krahas marrëdhënieve të tensionuara me juntën në Mjanmar njoftuan se do të ofrojnë ndihmë. sa/

foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR