• e premte, 27 shtator 2024

Të paktën 20 viktima në valën e dytë të shpërthimeve nga pajisjet e komunikimit në Liban

Të paktën 20 viktima në valën e dytë të shpërthimeve nga pajisjet e komunikimit në Liban

Bejrut, 19 shtator 2024 (MIA) - Të paktën 20 persona u vranë, ndërsa më shumë se 450 u plagosën në valën e dytë të shpërthimeve në pajisjet e komunikimit me valë në Liban, kumtuan Ministria e Shëndetësisë, transmeton Bi-bi-si.

Kjo ka ndodhur në valën e dytë të shpërthimeve të djeshme, një ditë pas një serie shpërthimesh vdekjeprurëse me pejxherë nga anëtarë të grupit pro iranian Hezbollah.

Uoki-toki të përdorura nga anëtarët e grupit militant Hezbollah shpërthyen në periferitë jugore të Bejrutit, Luginën Beka dhe Libanin jugor - zonë e cila konsiderohet për bastionet e tij.

Disa nga shpërthimet ndodhën gjatë funeralit të disa nga 12 personat për të cilat Ministria kumtoi se humbën jetën në shpërthimin e së martës.

Hezbollahu ka fajësuar Izraelin për sulmin, por Izraeli nuk ka komentuar.

Sulmet ndodhën pasi ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Joav Galant paralajmëroi "fazë të re në luftë", ndërsa një divizion i ushtrisë izraelite u zhvendos në veri.

Sekretari i përgjithshëm i KB-së Antonio Guteresh paralajmëroi për një "rrezik serioz nga përshkallëzimi dramatik" dhe u bëri thirrje të gjitha vendeve për "përmbajtje maksimale".

"Natyrisht logjika pas shpërthimit të të gjitha këtyre pajisjeve është që kjo të bëhet si një sulm preventiv ​​para një operacioni të madh ushtarak", tha ai. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR