• e enjte, 26 dhjetor 2024

Të paktën 187 persona humbën jetën në përleshjet e grupeve në Haiti

Të paktën 187 persona humbën jetën në përleshjet e grupeve në Haiti

Port-O-Prens, 21 mars 2023 (MIA) - Të paktën 187 persona humbën jetën për më pak se dy javë në përleshjet e reja ndërmjet grupeve në Haiti, ndërsa edhe 150 të tjerë janë lënduar, kumtoi sot KB-ja.

Një valë e re dhune e regjistruar nga 27 shkurti deri më 9 mars në kryeqytetin Port-O-Prens dhe në rajonin qendror Artibonit, gjithashtu ka zhvendosur qindra njerëz dhe ka detyruar fermerët të ndalojnë punën në një kohë kur gjendja ushqimore e vendit po përkeqësohet, thanë zyrtarët e qeverisë lokale.

"Situata është edhe më alarmante për fëmijët, të cilët shpesh janë të ekspozuar ndaj të gjitha formave të dhunës së armatosur, duke përfshirë rekrutimin e detyruar dhe dhunën seksuale," kumtuan Kombet e Bashkuara në Haiti.

Përveç kësaj, pothuajse 260 rrëmbime janë raportuar që nga fillimi i vitit, me njerëz që janë rrëmbyer nga shtëpitë e tyre ose në vende publike, njoftuan autoritetet.

Grupet u bënë më të fuqishme pas vrasjes së presidentit Zhovenel Mojs në korrik të vitit 2021 dhe tashmë kontrollojnë rreth 60 për qind të Port-o-Prens.

Kryeministri Ariel Anri sinjalizoi javën e kaluar se po përpiqej të mobilizonte ushtrinë e Haitit për të ndihmuar policinë e pafinancuar dhe me staf të pamjaftueshëm për të luftuar dhunën e bandave që ka detyruar një numër të madh të shkollave dhe bizneseve të mbyllen. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR