Të paktën 126 të vdekur dhe 188 të lënduar në tërmetin në Tibet
- – Numri i të vdekurve në tërmetin i cili sot e goditi Tibetin arriti 126, ndërsa 188 janë të lënduar, informuan agjencitë botërore.
- Post By Fitore Curri
- 17:44, 7 janar, 2025
Pekin, 7 janar 2025 (MIA) – Numri i të vdekurve në tërmetin i cili sot e goditi Tibetin arriti 126, ndërsa 188 janë të lënduar, informuan agjencitë botërore.
Tërmeti i fuqishëm me magnitudë prej 6,8 ballë sipas shkallës së Rihterit në një zonë të largët dhe të banuar rrallë shkatërroi qindra shtëpi dhe rrugë të mbushura me rrënoja. Besohet se shumë njerëz ende kanë ngecur nën ndërtesat e shkatërruara.
Instituti gjeofizik amerikan njoftoi se tërmeti ishte me fuqi prej 7,1 ballë dhe ka ndodhur në orën 9:05 minuta sipas kohës lokale (1:05 sipas Griniçit) në thellësi prej rreth 10 kilometra në rajonin Tingri në Tibet, i cili gjendet në afërsi të Mont Everestit.
Kjo është zonë në të cilën takohen pllakat tektonike indiane dhe euroaziatike, duke shkaktuar tërmete mjaft të fuqishme që ta ndryshojnë lartësinë e disa prej majave më të larta në botë të Himalajeve.
Pas tërmetit të parë, sot në këtë zonë ishin regjistruar më shumë se 150 lëkundje të njëpasnjëshme, prej të cilave dhjetë ishin me fuqi më të madhe se 6 ballë, njoftoi Instituti Gjeofizik Amerikan.
Lideri kinez Si Xhinping bëri thirrje që të bëhen të gjitha përpjekjet për të shpëtuar njerëzit, minimizimin e dëmeve dhe strehim të shpejtë të njerëzve, shtëpitë e të cilëve janë shkatërruar. Më shumë se 3.000 shpëtimtarë janë dërguar në zonën e goditur nga katastrofa.
Rreth 6.900 njerëz jetojnë në tre qytete dhe 27 fshatra në largësi deri 20 kilometra nga epiqendra, njoftoi televizioni kinez.
Tërmetin e kanë ndjerë edhe banorët në rajonet verilindore të Nepalit, por deri më tani nuk ka informacione për viktima ose dëme materiale. fc/
Fotografia: EPA