• e enjte, 26 dhjetor 2024

Sveçla për urdhërarrestin rus ndaj policëve të Kosovës: Nga Rusia nuk pritet asgjë e mirë

Sveçla për urdhërarrestin rus ndaj policëve të Kosovës: Nga Rusia nuk pritet asgjë e mirë

Prishtinë, 4 mars 2024 (MIA) - Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka deklaruar se është informuar zyrtarisht për fletarrestin ndërkombëtar të lëshuar nga Rusia kundër disa pjesëtarëve të policisë së Kosovës, përfshirë komandantin e njësisë speciale Besart Ahmeti, por që kjo aspak nuk e ka shqetësuar, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Sveçla gjatë konferencës së sotme ndërkombëtare për sigurinë kibernetike që për herë të tetë mbahet në Prishtinë deklaroi se “nga Rusia nuk pritet asgjë e mirë”, por, siç tha, "kërkesa e Moskës drejtuar Interpolit nuk është shqetësimi as i tij dhe as i Ahmetit”.

"Nga Rusia nuk pritet asgjë e mirë. Besarti (Ahmeti) është mirë... E dimë, e kemi informacionin zyrtar, por ky nuk është shqetësimi im e as i Besartit", ka thënë Sveçla.

Mediat kosovare kanë raportuar të shtunën se Rusia ka lëshuar urdhërarrest për tre pjesëtarë të njësive elitare të policisë së Kosovës për të cilët ka kërkuar që të futen në sistemin e kërkimit të organizatës ndërkombëtare policore Interpol.

Sipas raporteve, Rusia kërkon arrestimin e policëve të Kosovës në lidhje me rastin e vitit 2019 në veri të Kosovës ku u arrestua një shtetas rus, për të cilin autoritetet në Prishtinë thanë se është spiun i Moskës i infiltruar në misionin e OSBE-së në vend.

Mediat theksojnë se Rusia ka lëshuar urdhërarrest për më shumë se 100 mijë njerëz në mbarë botën, ndërsa lista u rrit veçanërisht pas invazionit mbi Ukrainën dy vjet më parë.

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR