• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Sveçla për REL: Aktakuza për Banjskën është e vonuar dhe e paplotë, injoron përgjegjësinë e Serbisë

Sveçla për REL: Aktakuza për Banjskën është e vonuar dhe e paplotë, injoron përgjegjësinë e Serbisë

Prishtinë, 24 shtator 2024 (MIA) - Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se aktakuza që ka ngritur Prokuroria Speciale e Kosovës për rastin e sulmit në Banjskë, është “e vonshme dhe e paplotë”.

Sveçla në intervistën e sotme për Radion Evropa e Lirë thotë se në aktakuzë nuk janë përfshirë disa komandantë të ushtrisë serbe, të cilët, siç thotë ai, mundësuan stërvitjen e grupit terrorist, por edhe e furnizuan me armë ushtarake, të cilat policia i ka sekuestruar. 

“Për shembull, ne kemi dëshmi të padiskutueshme se ky grup terrorist ka mbajtur ushtrime ushtarake në Pasulanske Livade, që është një kazermë zyrtare e ushtrisë së Serbisë, ku [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq shkon pothuajse çdo muaj dhe mbikëqyr trajnime të ndryshme të pjesëtarëve të njësiteve të ndryshme të ushtrisë apo policisë”, thotë Sveçla për REL.

Sipas tij, sot, një vit pas sulmit, situata e sigurisë në Kosovë, veçanërisht në veri të vendit, të banuar me shumicë serbe, është "shumë, shumë më e mirë".

"Mund të them lirisht që është e qetë dhe stabile në të gjithë territorin e Kosovës, me theks të veçantë në katër komunat veriore, ku për këta katër vjet gati të qeverisjes sonë, por edhe që nga paslufta, kemi pasur incidente, probleme, çështje serioze të pasigurisë - qoftë publike, qoftë tentim të cenimit të integritetit territorial. Por, lirisht mund të them se kemi një situatë plotësisht ndryshe", deklaroi Sveçla.

Më 24 shtator të vitit të kaluar një grup terrorist sulmoi policinë e Kosovës në Banjskë afër Zveçanit, me ç'rast u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, humbën jetën edhe tre nga grupi i sulmuesve serbë.

Liderët e Kosovës kanë fajësuar vazhdimisht udhëheqësinë e Serbisë për këtë sulm, ndërsa ajo ka mohuar përgjegjësinë.

Disa ditë para përvjetorit të parë nga sulmi, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti jë aktakuzë për këtë rast, ku përfshihen 45 persona, duke përfshirë ish nënkryetarin e partisë të serbëve të Kosovës, Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili mori përgjegjësinë si lider i grupit, që kreu sulmin. rq/bsh/

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR