• e premte, 27 dhjetor 2024

Sveçla: Kemi informacione se grupe të reja po trajnohen në Serbi për sulme në Kosovë

Sveçla: Kemi informacione se grupe të reja po trajnohen në Serbi për sulme në Kosovë

Prishtinë, 25 tetor 2023 (MIA) - Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla,  thotë se shërbimet e Kosovës posedojnë informata inteligjente se grupe të tjera janë duke u trajnuar në Serbi për sulme të mundshme ndaj Republikës së Kosovës, lajmëron korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. 

I ftuar në "60 Minuta" të KTV-së, një muaj pas vrasjes së rreshterit Afrim Bunjaku në sulmin në Banjskë, Sveçla ka thënë se pjesë e këtyre sulmeve që pritet të ndodhin përveç Milan Radoiçiqit, do të marrë pjesë edhe Zvonko Veselinoviq. 

Sipas minitrit të Kosovës, këto grupe po trajnohen nëpër bazat e ushtrisë përreth kufirit me Kosovën. 

"“Kemi informata inteligjente se grupe të tjerra janë duke u trajnuar, se jo vetëm Radoiçiqi por edhe Veselinoviq do të jenë pjesë e sulmeve të ardhshme nëse ne do t’i lejojmë të ndodhin ato, me të vetmin qëllim që të shkaktojnë një situatë të re në terren ku pozicioni i Serbisë do të përmirësohej në raport me qëllimin e tyre për ta shkatërruar Kosovën", ka thënë Sveçla. 

Aika shtuar se Kosova do t'i përmbushë të gjitha procedurat, duke kërkuar ekstradimin dhe gjykimin e Radoiçiqit para drejtësisë në Kosovë. 

"Jo vetëm ndaj tij, por edhe ndaj atyre që e kanë planifikuar këtë sulm ndaj sovranitetit territorial të Republikës së Kosovës, ne nuk do të ndalemi me kaq", ka shtuar ai. 

Sveçla ka thënë se përgjegjës për atë se çfarë ka ndodhur në Banjskë më 24 shtator është shteti i Serbisë, Qeveria dhe Presidenti serb. 

"Ata kanë bërë planifikimin, rekrutimin, trajnime, kanë bërë armatimin dhe kanë sjellë deri në kufi këtë grup terrorist që ka qenë vetëm një valë e terroristëve të planifikuar të futen në Kosovë. Po ashtu ka qenë një grup tjetër brenda Kosovës", ka thënë ai. 

 Sveçla, ka thënë se plani për sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator ishte i punuar ushtarakisht dhe kishte për qëllim aneksimin e komunave veriore, derisa ka dhënë detaje të reja për të.

Sipas tij Banjska ishte pikëtakimi i anëtarëve të grupit terrorist, të cilët, siç thotë ministri, do të shtriheshin në Zveçan e Mitrovicë të Veriut. Sveçla ka zbuluar se po të shkonte plani i grupi paraushtarak serb deri në fund, një grup tjetër do të futej nga kufiri serb në Leposaviq. 

"Qëllimi i tyre fillestar ishte të gjejnë korridor të sigurt, janë nisur nga Izvoci bashkë me një rrugë paralele kodrinore në Banjskë dhe do të shtriheshin deri në Zveçan e Mitrovicë të Veriut. Banjska ka qenë veç një vendgrumbullim. Këta nuk janë futur menjëherë të gjithë, janë futur grupe-grupe që në orët e mbrëmjes. Pika e takimit ka qenë Banjska. Është një plan i punuar ushtarakisht. Do të vendoseshin në Zveçan dhe Mitrovicë. Do të takoheshin me pjesëtarët tjerë në Zubin-Potok. Ndërsa kemi informata se një grup tjetër do të futej në Leposaviq nga kufiri serb. Inteligjenca jonë janë shumë të afërt me numrin e këtij grupi, por s’mund ta them”, deklaroi Sveçla në KTV. 

 

QËNDRONI TË LIDHUR