• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Sulmet ndaj politikanëve janë bërë të zakonshme

Sulmet ndaj politikanëve janë bërë të zakonshme

10 maj 2024

Dojçe Vele

Goditje, ofeza, kërcënime... Sulmet ndaj politikanëve dhe aktivistëve gjermanë në fushatë vazhdojnë. Ata vijnë kryesisht nga e djathta radikale. Kjo është arsyeja pse gjithnjë e më shumë njerëz po mendojnë të heqin dorë nga politika lokale.

Senatorja e ekonomisë e Berlinit Franciska Gifaj (SPD) u plagos lehtë në një sulm fizik në zonën e Rudovit. “Të martën (7 maj) pasdite në bibliotekë, një burrë sulmoi papritmas ish-kryetaren e bashkisë nga prapa me një çantë plot me përmbajtje të fortë dhe e goditi atë në kokë dhe në qafë”, tha policia dhe prokuroria e Berlinit.

Policia ka nisur hetimet. Pas sulmit, ish-ministri federal për çështjet e familjes "shkoi në spital për një kohë të shkurtër për shkak të dhimbjes në zonën e kokës dhe qafës", thanë autoritetet në një deklaratë

 Kodin Penal të bëhet më rigoroz

 

 Të martën, ministrat e punëve të brendshme federale dhe shtetërore u takuan mbi sulmet e fundit ndaj politikanëve dhe aktivistëve. Ata folën për mbrojtje më të mirë të njerëzve aktivë në politikë, por edhe për ashpërsimin e Kodit Penal. Ata që janë politikisht aktivë në Gjermani bëjnë jetë më të rrezikshme. Sulmi i Gifait është vetëm maja e ajsbergut. Ditë pas dite sulmohen – kërcënohen dhe ofendohen veçanërisht politikanët vendas.

 Ashtu si dhe Maks Reshke, i cili prej një viti është kryetar i të Gjelbërve në Tiringi. Ai tha për DV: “Nga Krishtlindjet e deri në fillim të vitit, gjatë protestës së fermerëve, ne kishim grumbuj mbeturinash para çdo dere zyre, vezë në dritare, xhama të thyer në disa zyra dhe kutitë postare gjithashtu u shkatërruan me eksploziv."

“Ndodh që njerëzit t’ju thonë se nëse kthehen në pushtet, atëherë do të na ndodhë kjo apo ajo. Dhuna verbale është rritur padyshim në vitet e fundit”, thotë Reshke.

Të Gjelbërit janë veçanërisht në shënjestër 

Politikanët e gjelbër sulmohen veçanërisht shpesh. Prandaj, Reshke dhe ekipi i tij gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale, të cilat mbahen në fund të majit dhe zgjedhjet evropiane në fillim të qershorit, dalin në terren të paktën në çifte - për sigurinë e tyre.

Aktivistët e Gjelbër trajnohen nëpër kurse, për të folur me qetësi me njerëzit, për të praktikuar de-përshkallëzimin e tensioneve dhe për të mos lejuar që të provokohen.

“Ka njerëz që tani po na tregojnë atë për të cilën kanë menduar vetëm dikur. Ata gjithashtu përpiqen të frikësojnë familjet. Dhe ka të tjerë që i kthejnë mendimet në veprime. Fatkeqësisht, kjo është ajo që po shohim tani në Drezden”, thotë Reshke.

Ekipi i DV-së po ndiqte fushatën e të Gjelbërve në Drezden, kur disa qytetarë të zemëruar erdhën duke share dhe ofenduar dhe fushata u shty. Ata kërcënuan edhe ekipin e DV-së.

Pak ditë më parë, po në Dresden, një politikan i SPD-së u rrah dhe u desh të shtrohej në spital.

Shtëpia e një politikani të SPD-së është djegur 

Dhe jo vetëm atje: në Esen në Rajnën Veriore, në fillim të majit, dy politikanë të Gjelbër fillimisht u ofenduan verbalisht dhe më pas u sulmuan fizikisht. Njëri është lënduar.

Në Brandenburg në të njëjtën ditë, protestuesit e zemëruar përplasën makinën e nënkryetares të Bundestagut, Katrin Gering-Ekart (të Gjelbërit) dhe e penguan atë të lëvizte përpara.

Edhe në Gota të Tiringisë në shkurt, persona të panjohur i vunë zjarrin shtëpisë së një politikani të SPD-së, i cili po organizonte një demonstratë kundër ekstremizmit të djathtë.

Fatkeqësisht, dhuna ndaj politikanëve nuk është një fenomen i ri: kryetarja e bashkisë së Këlnit, Henrieta Reker, ishte viktimë e një atentati në vitin 2015, të cilit i mbijetoi për qime.

Pesë vjet më parë, një ekstremist i krahut të djathtë vrau politikanin e CDU-së, Ualter Libke.

Kryeministri bavarez Markus Zeder fajëson Alternativën e djathtë për Gjermaninë (AfD) për dhunën e fundit kundër politikanëve. Por edhe politikanët e tyre bëhen viktima të sulmeve.

 Maks Reshke dëshiron të vazhdojë të jetë i përfshirë në politikë, por kërkon që politikanët vendas të kenë më shumë mbrojtje nga shteti dhe policia. “Është shumë pak kohët e fundit. Diçka nuk duhet të ndodhë së pari përpara se të ndërmarrim veprime. Shoqëria në tërësi duhet të pyesë veten se në cilin drejtim duam të shkojmë. Nuk mendoj se mund të ketë kuptim më shumë dhunë dhe frikë”.

Urrejtja ndaj shteti 

Katër në dhjetë kryebashkiakë në Gjermani thonë se ata ose kolegët e tyre janë fyer, kanë pësuar kërcënime dhe sulme, sipas sondazhit të Forsa-s me 6,400 kryebashkiakë në Gjermani.

Prandaj, disa prej tyre ppatën edhe idenë e heqjes dorë nga politika lokale. Por ky nuk është një fenomen thjesht gjerman, por një trend në të gjithë Evropën, si dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha për DV Sven Teklaf, shef i demokracisë dhe bashkëpunimit në Fondacionin Kerber.

“Mënyra e të folurit është bërë më e ashpër dhe sigurisht që ka të bëjë me rrjetet sociale. Njerëzit atje konkurrojnë në urrejtjen e tyre ndaj shtetit, sistemit, politikës, ‘ata lart’”, thotë ai.

 Një tjetër gjë, sipas Tezlafit, është fenomeni që gjithnjë e më shumë njerëz insistojnë në interesat e tyre, që vetëm idetë e tyre zbatohen. Kështu, gatishmëria për të gjetur një kompromis apo ekuilibër midis interesave të ndryshme zvogëlohet.

“Nëse nuk ndiqen interesat e mia, atëherë unë e refuzoj sistemin, atëherë fyej politikanët që nuk ndjekin interesat e mia”, shpjegon Teklaf.

 Rezultati më i keq, thotë ky ekspert, është ikja e njerëzve nga politika lokale, ku shumë punojnë si vullnetarë në komunitetet lokale apo komunat e vogla.

“Nëse nuk kemi më besim në nivel lokal se ky shtet demokratik mund të funksionojë, atëherë vërtet kemi një problem të madh në Gjermani”, përfundon Teklaf.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR