Sulme në disa vende në Lindjen e Mesme edhe krahas shpalljes së armëpushimit
- Sulme gjatë natës dhe mëngjesit të sotëm janë raportuar në disa vende në Lindjen e Mesme, edhe krahas shpalljes së armëpushimit midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, raportojnë mediat dhe burimet zyrtare.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 08:38, 8 prill, 2026
Dubai, 8 prill 2026 (MIA) - Sulme gjatë natës dhe mëngjesit të sotëm janë raportuar në disa vende në Lindjen e Mesme, edhe krahas shpalljes së armëpushimit midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, raportojnë mediat dhe burimet zyrtare.
Mediat amerikane, duke cituar një përfaqësues zyrtar izraelit, deklarojnë se Izraeli ka rinisur sulmet ndaj Iranit që nga mëngjesi i sotëm, raportoi "Bi-Bi-Si. Kjo po ndodh edhe krahas konfirmimeve nga Shtëpia e Bardhë dhe Pakistani i cili ndërmjetësonte në arritjen e armëpushimit, se edhe Izraeli është pajtuar me marrëveshjen për armëpushim.
Sulme janë raportuar edhe në Jerusalem, ku gazetarët e "Bi-Bi-Si"-së theksojnë se kanë "dëgjuar dhe kanë ndjerë shpërthime të shumta", me paralajmërime të lëshuara për popullatën.
Ndërkohë, sirenat u dëgjuan në Bahrein, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme u bëri thirrje qytetarëve të strehohen.
Ministria e Mbrojtjes e Katarit përmes rrjeteve sociale njoftoi se raketat ishin kapur duke synuar objektiva në vend.
Në të njëjtën kohë, Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe tha se vendi po përballet me sulme me raketa dhe dronë që vijnë nga drejtimi i Iranit.
Në Arabinë Saudite, shërbimet e mbrojtjes civile kanë lëshuar të paktën dy paralajmërime në dy orët e fundit, dhe pas të parit, sipas komunikatave të autoriteteve dhe raporteve nga gazetarët në Riad, u njoftua se situata është e sigurt.
Foto: Arkivi i MIA-s