• e premte, 27 dhjetor 2024

Sulm ajror izraelit ndaj një kampi të refugjatëve: Të paktën 13 persona humbën jetën, më shumë se 70 janë plagosur

Sulm ajror izraelit ndaj një kampi të refugjatëve: Të paktën 13 persona humbën jetën, më shumë se 70 janë plagosur

Rafa, 19 dhjetor 2023 (MIA)  - Të paktën 13 palestinezë janë vrarë, ndërsa 75 janë plagosur në sulmin e sotëm izraelit ndaj një kampi të refugjatëve Xhabalia në pjesën veriore të Gazës, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në enklavën e kontrolluar nga Hamasi. Në jug, në Rafa, në granatimin izraelit humbën jetën 20 persona. 

Për momentin nuk ka koment nga autoritetet izraelite.

Me sipërfaqe prej 1,4 kilometra katrorë, Xhabalia është më e madhja nga tetë kampet e refugjatëve në Rripin e Gazës me rreth 116.000 persona të regjistruar.

Shumë nga ata varen nga ndihma të cilën e siguron Agjencia speciale e KB-së për refugjatë palestinezë (UNRWA) për ushqim, ilaçe dhe nevoja të tjera.

Në ndërkohë, Hamasi njoftoi se në Rafa janë vrarë 20 persona, në mesin e të cilëve edhe gazetari palestinez Adel Zurub dhe disa anëtarë të familjes së tij. Sipas shërbimit për informim të Qeverisë nën kontrollë të Hamasit, numri i gazetarëve të vrarë u rrit në 97.

Në luftën tokësore, në të cilën Izraeli deri më tani humbi 132 ushtarë, tanket vazhdojnë të përparojnë në qytetin jugor Kan Junis, por hasin në rezistencë të fortë.

Izraeli është i vendosur që ta çrrënjosë Hamasin në Rripin e Gazës. 

Ofensiva izraelite e shndërroi enklavën bregdetare në rrënoja, ndërsa deri më tani, sipas Hamasit, gati 20.000 njerëz janë vrarë në bombardimet.

Bashkësia ndërkombëtare po i bën presion kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu për të ulur intensitetin e luftës për të shmangur viktimat civile. Netanjahu përgjigjet se lufta nuk do të ndalet derisa 129 pengjet e mbetura të lirohen dhe Hamasi të shkatërrohet. fc/

Fotografia: Arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR