• e enjte, 26 dhjetor 2024

Stoltenberg: Sugjerimi se NATO nuk do të mbrojë të gjithë aleatët minon sigurinë e të gjithëve

Stoltenberg: Sugjerimi se NATO nuk do të mbrojë të gjithë aleatët minon sigurinë e të gjithëve

Bruksel, 15 shkurt 2024 (MIA) - Neni 5 i Traktatit të NATO-s, i cili parashikon se një sulm ndaj një aleati konsiderohet si një sulm ndaj të gjithëve, është në qendër të Aleancës dhe çdo sugjerim se ne nuk do t'i mbrojmë të gjithë aleatët, minon sigurinë e të gjithëve ne,  tha sot sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg para fillimit të seancës së Këshillit të Atlantikut të Veriut në Bruksel, në të cilën merr pjesë edhe ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska.

"Një për të gjithë, të gjithë për një është thelbi i NATO-s", theksoi Stoltenberg në përgjigje të pyetjes së një gazetari në lidhje me një koment mbi deklaratën e kandidatit më të mundshëm republikan për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Tramp, se NATO nuk do të mbrojë aleatët evropianë që nuk ndajnë "mjaft" për mbrojtjen.

Lidhur me njoftimet nga Evropa pas deklaratës së Trampit për autonominë strategjike evropiane, Stoltenberg theksoi se mirëpret rritjen e investimeve të aleatëve evropianë në mbrojtje dhe forcimin e kapaciteteve të tyre, por se kjo nuk është alternativë ndaj NATO-s.

"Ne duhet të forcojmë NATO-n dhe jo të bëjmë ndarje midis Evropës dhe Amerikës së Veriut, duhet të qëndrojmë së bashku në NATO"-n, tha Stoltenberg, duke shtuar se forca e Aleancës është që të gjithë anëtarët të qëndrojnë së bashku dhe të mbrojnë të gjithë aleatët.

Ai shtoi se pasojat e faktit që Kongresi amerikan nuk e ka miratuar ende vendimin për vazhdimin e ndihmës për Ukrainën janë tashmë të dukshme, duke theksuar se këtë çështje e ka diskutuar me nikoqirët e tij amerikanë gjatë një vizite të fundit në Uashington.

"Nëse lejojmë që presidenti (rus) Putin të fitojë, do të jetë keq për Ukrainën dhe ukrainasit, por do të jetë gjithashtu e rrezikshme për ne, do të na vërë në më shumë rrezik dhe do të na bëjë më të rrezikuar", tha Stoltenberg.

Ai theksoi se anëtarët e NATO-s duhet të investojnë më shumë në mbrojtje, duke shtuar se vitin e kaluar është shënuar një rritje të paprecedentë prej 11 për qind në shpenzimet e mbrojtjes nga aleatët evropianë dhe Kanadaja.

"Këtë vit presim që 18 aleatë të shpenzojnë dy për qind të PBB-së së tyre për mbrojtjen. Aleatët evropianë së bashku do të shpenzojnë gjithsej 280 miliardë dollarë amerikanë për mbrojtjen. Kjo arrin në dy përqind të PBB-së së tyre të kombinuar", shtoi Stoltenberg.

Sipas tij, është e nevojshme të vazhdohet mbështetja për Ukrainën, e cila kontribuon në forcimin e potencialit të forcave të sigurisë ukrainase, i cili është i dukshëm edhe në fushën e betejës.

"Për të qenë të sigurt se Ukraina do të marrë armët dhe municionet që i nevojiten, ne duhet të rrisim prodhimin e municioneve", tha Stoltenberg.

Ai e mirëpriti vendimin e mëparshëm të Bashkimit Evropian të ndajë 50 miliardë euro ndihmë për Ukrainën dhe shfaqi shpresë se edhe Kongresi i SHBA-së së shpejti do ta mbështesë pakon për mbështetje të vendit. 

"Mbështetja për Ukrainën është investim në sigurinë tonë", përfundoi Stoltenberg. sa/

Foto: Skrinshot

QËNDRONI TË LIDHUR