• e shtunë, 23 nëntor 2024

Stoltenberg: NATO-ja pret që Kongresi amerikan në ditët në vijim ta miratojë ndihmën e re për Ukrainën

Stoltenberg: NATO-ja pret që Kongresi amerikan në ditët në vijim ta miratojë ndihmën e re për Ukrainën

Bruksel, 17 prill 2024 (MIA) - Jam i inkurajuar nga pritshmëria se Kongresi i SHBA-së do të miratojë ndihmë të re për Ukrainën në ditët në vijim, deklaroi sot sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në konferencën e përbashkët për shtyp  në selinë e Aleancës me kryeministrat e Holandës, Mark Rute, të Danimarkës, Mete Frederiksen dhe të Çekisë, Petar Fiala.

"Diskutuam për rritjen e ndihmës për Ukrainën, veçanërisht për mjetet e mbrojtjes kundërajrore", tha Stoltenberg.

"Situata në fushën e betejës në Ukrainë është shumë e vështirë, qartë i dëgjojmë thirrjet e ukrainasve për ndihmë më të madhe", shtoi ai.

Sekretari i përgjithshëm, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, sqaroi se në Evropë ka më pak se 100 sisteme për mbrojtje kundërajrore, por Aleanca ka më shumë se ajo shifër, kryesisht në SHBA.

Kryeministri Fiala tha se pret që ndihma e re e Uashingtonit për Ukrainën të miratohet nga Kongresi deri në fund të kësaj jave ose javën tjetër. Ai sqaroi se kjo pritje bazohet në bisedat e tij në SHBA, nga të cilat sapo u kthye. Fiala propozoi nga qershori të fillojë dërgesa e gjysmë milion granteve, të siguruara me nismën e Pragës, në të cilën janë përfshirë edhe aleatë tjerë.

"Evropianët deri tani kanë bërë shumë për Ukrainën, por nevojitet më shumë", deklaroi kryeministrja Frederiksen. Sipas saj, një pjesë e sistemeve evropiane për mbrojtje kundërajrore duhet të dërgohen në palën ukrainase.

Kryeministri Rute, sërish e theksoi nevojën e aleatëve të prodhojnë më shumë mjete për mbrojtjen kundërajrore. Sipas tij, Ukraina duhet të vazhdojë të marrë municion dhe pajisje nga rezervat e vendeve të NATO-s dhe të blejë armatim shtesë nga tregu botëror për produktet mbrojtëse. sa/

foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR