• e enjte, 26 dhjetor 2024

Stoltenberg: NATO ndihmoi në përhapjen e paqes, demokracisë dhe prosperitetit në Evropë

Stoltenberg: NATO ndihmoi në përhapjen e paqes, demokracisë dhe prosperitetit në Evropë

Bruksel, 4 prill 2024 (MIA) - Marrëveshja e Uashingtonit me të cilën para 75 vjetëve u formua NATO ka vetëm 14 nene në disa faqe, por asnjë dokument me aq pak fjalë nuk është me rëndësi aq të madhe për njerëzit për sigurinë, prosperitetin dhe paqen e tyre, deklaroi sot sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg në ceremoninë me rastin e 75-vjetorit të formimit të Paktit Veriatlantik në selinë e tij në Bruksel.

"Sot e festojmë 75-vjetorin e aleancës më të fuqishme, më të qëndrueshme dhe më të suksesshme në histori. Në vitet pas Luftës së Dytë Botërore, frika nga edhe një luftë shkatërruese ishte reale. Kështu, në ditën e sotme në vitin 1949, ministrat e punëve të jashtme të 12 vendeve të Evropës dhe Amerikës së Veriut, e nënshkruan Marrëveshjen e Uashingtonit. E krijuan Aleancën tonë. Ajo e ruante popullin tonë të sigurt në vitet e gjata të Luftës së Ftohtë", theksoi Stoltenberg.

Sipas tij, pas fundit të Luftës së Ftohtë, NATO ndihmoi që të përfundojnë dy konflikte brutale etnike në Ballkan, pas sulmeve të 11 shtatorit në Nju-Jork dhe Uashington u vendos në vijën e parë të luftës kundër terrorizmit, ndërsa nga viti 2014 edhe aneksimi i jashtëligjshëm i Krimesë e ndërmori përforcimin më të madh të mbrojtjes kolektive. 

"Sot NATO është më e madhe, më e fuqishme dhe më e bashkuar se kurrë. Në fillim kishim 12 anëtarë. Sot kemi 32 anëtare. Domethënë, duhet të bëjmë diçka siç duhet! Ndihmuam që të përhapet paqja, demokracia dhe prosperiteti në Evropë. Edhe sot, gjithashtu, festojmë përvjetorë të rëndësishëm për shumë anëtare tona", shtoi sekretari i përgjithshëm i Aleancës. 

Siç informon korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, Stoltenberg theksoi se Evropës i nevojitet Amerika e Veriut për mbrojtje të sigurisë së saj, por në të njëjtën kohë edhe Amerikës së Veriut i nevojitet Evropa. 

"Unë nuk besoj në 'vetëm Amerikë', njëjtë siç nuk besoj në 'vetëm Evropë'. Besoj në Amerikë dhe Evropë bashkë. Në NATO. Sepse, bashkë jemi më të fuqishëm dhe më të sigurt", përfundoi Stoltenberg.

Kryesuesi i Komitetit Ushtarak të Aleancës, admirali Rob Bauer porositi se në ditën e sotme para 75 vjetëve aleatët e NATO-s nënshkruan Marrëveshje për formimin e grupit të vëllezërve dhe motrave. 

"Filluam si 12, ndërsa tani u rritëm në Aleancë të 32 forcave të armatosura. Bashkë ne mbrojmë më shumë se sigurinë fizike. Ne në kolektiv i mbrojmë lirinë dhe demokracinë", theksoi Bauer. 

Sipas tij, zgjedhja që të vënë jetën e tyre në shërbim të lirisë është pasqyrim i dëshirës së madhe të rrënjosur për të qenë pjesë e diçkaje më të madhe, për të qenë këtu për të tjerët, të luftojmë për "Ne" në botën e "Unë". 

"Kur civilët kërkojnë strehim, personeli ushtarak reagon. Ne jemi mburojë e të pafajshmëve. Ne jemi ata që qëndrojmë mes lirisë dhe shtypjes. Kjo detyrë, ky qëllim jetësor është diçka që të gjithë burrat dhe gratë në uniformë e ndajnë njëri me tjetrin", theksoi Bauer.

Ai theksoi se nëpër Evropës dhe Amerikë Veriore 3,5 milionë burra dhe gra në uniforma formojnë lidhje, që është e padukshme, por mund të ndjehet, për shkak se ata janë të gatshëm ta bëjnë viktimën e fundit dhe të jenë mburojë nga agresioni.

"Në botë ku regjimi autoritar përpiqet shumë të demonstrojë në fuqi, ndërsa tirania brutale synon t'i marrë të drejtat sovrane të kombeve dhe popujve, kjo mburojë na duhet më shumë se kurdoherë. Duhet t'i tregojmë botës se për demokracinë vlenë të luftijmë", tha Bauer.

Sipas tij, demokracia ndoshta nuk është sistem i përkryer, por megjithatë vlen t'i rrezikojmë jetët tona për të, sepse pa të drejtën e përzgjedhjes, pa lir dhe pa sundim të drejtësisë nuk mundemi të ndërtojmë botë të sigurt dhe prosperuese për fëmijët tanë. 

"Të ruhen të sigurt miliarda njerëz është detyrë e vështirë. Çdo ditë, forcat aleate të armatosura punojnë krah për krah në misionet dhe operacionet e NATO-s. Çdo ditë, 32 kombësi zgjedhin "Ne" në vend të "Unë". NATO në bërthamën e saj është aleancë mbrojtëse. Ne jemi Aleanca më e suksesshme në histori, jo për shkak të ndonjë manifestimi agresiv të forcës ushtarake ose për shkak të territorit që e kemi fituar brutalisht. Ne jemi Aleanca më e sukseshme në histori për shkak të paqes që e kemi sjellë, vendeve që i kemi bashkuar dhe për shkak të asaj që kemi parandaluar që konfliktet të dalin nga kontrolli. Sot e festojmë grupin tonë prej 32 vëllezërve dhe motrave. Aleatë të ndarë me oqeane, por të bashkuar në përkushtimin tonë. Së bashku jemi më të fuqishëm. Sepse jemi më të numërt. Së bashku jemi NATO", potencoi Bauer.

Në ceremoni u drejuan edhe ministrat e punëve të jashtme të vendeve anëtare të NATO-s që këtë vit shënojnë 25 vjetorin e anëtarësimit në Aleancë - Polonia, Hungaria dhe Republika Çeke, 20 vjetori - Bullgaria, Estonia, Letonia, Lituania, Sllovakia dhe Sllovenia dhe 15 vjetorin - Shqipëria dhe Kroacia, si dhe Belgjika në cilësinë e saj si shteti në të cilin ndodhet selia e Paktit.

Përpara fillimit të ceremonisë, Stoltenberg dhe Bauer vendosën kurora me lule në memorialin e të gjithë anëtarëve të NATO-s që vdiqën në misionet e Aleancës.

NATO u krijua në bazë të Traktatit të Atlantikut të Veriut, të nënshkruar në Uashington më 4 prill të vitit 1949, si një sistem sigurie kolektive, vendet anëtare të të cilit bien dakord të mbrojnë njëri-tjetrin kundër sulmeve nga palët e treta. Gjatë Luftës së Ftohtë, Aleanca funksionoi si mbrojtje kundër kërcënimit të ish-Bashkimit Sovjetik, por edhe pas rënies së tij dhe të Traktatit të Varshavës, ajo vazhdoi të ekzistojë në parimet e koncepteve strategjike të parandalimit dhe mbrojtjes së sistemit juridik ndërkombëtar, duke marrë pjesë në operacionet ushtarake në Ballkan, Lindje të Mesme, Azinë Jugore dhe në Afrikë.

Motoja e NATO-s është Animus in consulendo liber (Arsyeja e pakufishme në mendim). mb/fc/

Foto: NATO/skrinshot

QËNDRONI TË LIDHUR