• e enjte, 26 dhjetor 2024

Stoltenberg: NATO gjithnjë e më e tepër e shqetësuar se Kina mund të furnizojë Rusinë me armë

Stoltenberg: NATO gjithnjë e më e tepër e shqetësuar se Kina mund të furnizojë Rusinë me armë

Bruksel, 28 shkurt 2023 (MIA) - NATO-ja është gjithnjë e më e shqetësuar se Kina, e cila kohët e fundit propozoi një plan paqeje prej 12 pikash për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, mund të furnizojë me armë Rusinë, deklaroi sot sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Duke folur në samitin nordik SAMAK në Helsinki, Finlandë, Stoltenberg vuri në dukje se presidenti rus Vlladimir Putin po përgatitet për edhe më tepër luftë derisa po fillon ofensiva të reja, mobilizon më shumë trupa dhe shkon në Korenë e Veriut dhe Iran për më shumë armë.

"Ne jemi gjithashtu gjithnjë e më të shqetësuar se Kina mund të planifikojë të sigurojë mbështetje vdekjeprurëse për Rusinë," tha ai, duke i kërkuar NATO-s të vazhdojë të mbështesë Ukrainën.

Stoltenberg shpjegoi se edhe kur të përfundojë lufta, NATO "duhet të ndërprejë agresionin rus" duke lejuar Ukrainën të përgjigjet dhe të mbrohet nga sulmet e ardhshme.

Stoltenberg i bëri thirrje NATO-s që të sigurojë aranzhmane afatgjata të sigurisë për Ukrainën, pasi ai vend i përket familjes euroatlantike.

"Fundi i kësaj lufte nuk do të jetë një kthim në normalitet në marrëdhëniet tona me Rusinë, sepse Moska po e  prish tërë arkitekturën e kontrollit të armëve", shtoi ai.

Sipas Stoltenberg, vendet e NATO-s duhet të angazhohen më shumë për buxhetin e mbrojtjes, madje edhe nëse rrezikojnë të shkurtojnë shpenzimet për politika të tjera në mënyrë që të ruajnë sigurinë në një botë gjithnjë e më të rrezikshme.

Ai përshëndeti gatishmërinë e presidentit turk Rexhep Taip Erdogan për të vazhduar bisedimet për ratifikimin e anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO dhe tha se përfaqësuesit e palëve të interesuara do të takohen javën e ardhshme në Bruksel.

"Është koha për të finalizuar procesin dhe Suedia dhe Finlanda të bëhen anëtarë të plotëfuqishëm të Aleancës sonë", tha Stoltenberg. qa/bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR