• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Stoltenberg me kritika për deklaratën e papës: Nuk është koha që Ukraina të dorëzohet

Stoltenberg me kritika për deklaratën e papës: Nuk është koha që Ukraina të dorëzohet

Bruksel, 11 mars 2024 (MIA) - Sekretari i përgjitshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi sot se nuk pajtohet me deklaratën e papa Françeskut se Ukrainës i duhet "guximi i flamurit të bardhë" dhe se duhet të bisedojë për fundin e luftës të shkaktuar nga pushtimi rus. 

"Nëse duam zgjidhje paqësore të dakorduar, afatgjate, mënyra që ta arrijmë është me mbështetje ushtarake për Ukrainën", tha Stoltenberg, duke i komentuar deklaratat e papës.

Papa këtë e tha në intervistë, një pjesë e së cilës është publikuar gjatë fundjavës. Ai tha se kur palëve në konflikt nuk u ecën mirë, "duhet të kenë guxim të negocionojnë". 

Në intervistë për Rojters në selinë e NATO-s në Bruksel, Stoltenberg shtoi se "ajo që po ndodh në tavolinën e bisedimeve është padyshim e lidhur me forcën në fushëbetejë", transmeton Hina. 

I pyetur nëse reagimi i tij nënkupton se tani nuk është koha që të flitet për flamurin e bardhë, Stoltenberg tha: "Nuk është koha të flitet për dorëzimin e ukrainasve. Kjo do të jetë tragjedi për ukrainasit. Gjithashtu, do të jetë e rrezikshme për të gjithë ne". 

Shefi i NATO-s potencoi se për Ukrainën, dorëzimi nuk është paqe.

Ai, gjithashtu, theksoi se vendi asnjëherë nuk ka qenë më afër anëtarësimit në Aleancë. "Ajo do të jetë aleate. Domethënë, nuk është çështja nëse do të ndodh ajo, por kur", theksoi Stoltenberg.

Përndryshe, ndërkohë Vatikani sqaroi deklaratën e Papës." Papa Françesku nuk i bën thirrje Ukrainës të dorëzohet, por bën thirrje për armëpushim dhe guxim në negociata", sqaroi drejtori i zyrës së shtypit të Vatikanit, Mateo Bruni. "Papa përdor termin flamur i bardhë dhe korrespondon me përshtypjen e sugjeruar nga gazetari, për të treguar ndërprerje të armiqësive dhe armëpushim të arritur përmes guximit në negociata",tha Bruni për intervistën e Papa Françeskut për televizionin zviceran RTS, e cila do të transmetohet këtë muaj, ndërsa një pjesë është publikuar pardje. fc/

Fotografia: Arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR